1 tetor 1913, përvjetori i botimit të numrit të parë të revistës “Hylli i Dritës”, i të pares rreze drite të mendimit dhe dijes

At Fishta: “..e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: “Hylli i Dritës”, përsé âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”.

Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot, më 1 tetor të vitit 1913, doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë “Hylli i Dritës” – pasqyrë e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo françeskanë, duke shkruar sa me bojë, aq me flijimin e jetës deri në derdhjen heroike të gjakut në mbrojtje të vlerave kulturore e shpirtërore të popullit e të vendit.

Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës” u botua më 1 tetor 1913, për t’u ndërprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare shqiptare, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.

Shkruante Atë Gjergj Fishta: “E tuj kenë se me të hîm t’ ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: “Hylli i Dritës”, përsč âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë.

E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë” (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).

Revista Hylli i Dritës rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga françeskanët e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi i komunizmit: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur Hylli i Dritës dhe revista tjetër e Etërve Jezuitë “Leka“.

Në këtë periudhë të pas komunizmit, Hylli i Dritës u botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë.