Më 10 dhjetor të vitit 1922, u përurua Biblioteka Kombëtare Shqiptare (BKSH).
Institucioni i parë shtetëror, publik e laik në Shqipëri u themelua më 10 korrik 1920. Në kohën e inaugurimit, Biblioteka Kombëtare numëronte 6000 tituj librash. Drejtuesi i parë i bibliotekës ishte gjuhëtari dhe gazetari, Karl Gurakuqi.
Përgjatë periudhës së mbretërisë shqiptare, në vjetët 1928-1937, veprimtaria e bibliotekës spikati nën drejtimin e “babait” të bibliotekonomisë shqiptare, Sotir Kolesë.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, e gjeti BKSH-në me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ndërsa, në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime.
Në pasurimin e fondit të BKSH-së ndikoi ndjeshëm dekreti “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, dalë më 31 maj 1948.
Sipas tij, BKSH-së i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit, duke i mundësuar kështu kryerjen e rolit të qendrës arkivore.
Me rënien e regjimit diktatorial, biblioteka nisi të hiqte barrierat në sigurimin e informacionit dhe në shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës.