Sot, Shqipëria feston 111-vjetorin e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur.
Si sot, më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë, u ngrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 40 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë e Shtetet së kohës.
Më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës që ndodhi në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.
Këtë ditë, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Këtë 28 Nëntor, për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Parada e shqiptarëve.
Parada do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbledhë mbi 150 ansamble popullore.
Parada do të fillojë nga sheshi Nënë Tereza për të vijuar tek sheshi “Skënderbej” ku dhe od të zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamurit.
Nga ana tjetër krerët e shtetit do të jenë në Vlorë, në qytetin ku Ismail Qemali ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë./ CNA