Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë lëvizje të shumta politike në muajin e parë të rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, sipas një analize të CNN-it, Trumpi gënjeu shpejt dhe furishëm gjithashtu.
Në fjalime, intervista, shkëmbime me gazetarë, dhe postime në rrjete sociale, presidenti amerikan i mbushi deklaratat e tij publike jo vetëm me ekzagjerime, por edhe me fabrikime të pavërteta. Siç ka vepruar në mandatin e tij të parë, Trumpi bëri hamendësime të rreme me frekuencë dhe larmi të papërsëritshme nga çdo zyrtar tjetër i zgjedhur në Washington.
Më poshtë gjeni listën e 13 gënjeshtrave më të mëdha që nga inaugurimi i tij me 20 janar, sipas CNN-it:
1. Tregimi për 50 milionë dollarët – ose 100 milionë – në prezervativë për Hamasin
Kur zyrtarja për komunikim me media, Karoline Leavitt, njoftoi në adresimin e parë zyrtar të saj nga Shtëpia e Bardhë se presidenti Trump kishte përpiluar një plan për të shpenzuar 50 milionë dollarë “për të financuar prezervativët në Gaza”, ishte menjëherë e qartë se pohimi ishte shumë i dyshimtë. Por, Trumpi jo vetëm që përsëriti shifrën e 50 milionë dollarëve ditën tjetër. Ai madje shtoi një tjetër pretendim duke thënë se prezervativët ishin “për Hamasin”. Pastaj e ngriti çmimin në 100 milionë dollarë. Ky ishte një tjetër shembull i “Trumpflacionit”, njërit nga veset e vjetra të presidentit për të krijuar histori të pasakta dhe të pavërteta.
2. Ukraina si fajtore për fillimin e luftës në Ukrainë
Rusia e kishte filluar luftën në Ukrainë, kur vendosi ta sulmonte në vitin 2022. Ky është fakt i ditur. Por të martën, përderisa Trumpi po kundërshtonte kritikat e Ukrainës në lidhje me përjashtimin prej negociatave midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u mbajtën në Arabinë Saudite, ai gjithashtu e akuzoi Ukrainën se e kishte filluar luftën – duke thënë se, “ju nuk është dashur kurrë ta nisni luftën” dhe “ju keni mundur të arrini marrëveshje”. Propagandë e stilit të Kremlinit, kësaj radhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
3. (Jo-Ekskluziviteti i së drejtës të shtetësisë me lindje
Trumpi ka ofruar çka mund të tingëllonte si veprim i arsyeshëm mbi përpjekjen e tij për të larguar të drejtën e shtetësisë nëpërmjet lindjes. Shtetet e Bashkuara, ka thënë ai, janë shteti i vetëm në botë që ka të drejtën e shtetësisë me lindje. Kjo nuk është e vërtetë, sepse CNN dhe media të tjera e kanë demantuar presidentin, kur ai kishte dhënë të njëjtat aludime në vitin 2018. Shumë shtete të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën, gjithashtu mundësojnë të drejtën e shtetësisë automatike me lindje, për ata persona që lindin në tokën e tyre.
4. Shtrembërimi i realitetit të 6 janarit
Për vite me radhë, Trumpi ka paraqitur versionin e tij për trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Capitol Hill, që nuk korrespondon me atë që në të vërtetë kishte ndodhur. Kur ai ishte pyetur në fillim të shkurtit, se pse i kishte falur personat që kishin sulmuar autoritetet, Trumpi ka thënë se njerëzit që i ka falur, në fakt, ishin “sulmuar nga qeveria jonë” dhe se “ata nuk kanë sulmuar askënd”. Fraza “ata nuk e kanë sulmuar askënd” ishte një refuzim i guximshëm i realitetit të dukshëm, që shihet video pas videoje dhe gjyq pas gjyqi. Departamenti i Drejtësisë ka thënë se mbi 140 zyrtarë policorë ishin sulmuar me 6 janar, dhe më shumë se 170 persona ishin fajtorë për trazirat.
5. Një tufë gënjeshtrash rreth politikës së ujit në Kaliforni
Në mes të katastrofës, më shumë pandershmëri. Së pari, Trumpi lidhi zjarret e pyjeve në Los Angeles me vendimin e shtetit të Kalifornisë për të përdorur ujin e saj, në mënyrë që të mbrojë një specie peshqish në pjesën veriore të shtetit – pavarësisht se këto dy gjëra nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, siç shpjeguan ekspertët e hutuar nga pretendimi i presidentit. Më pas, pasi që urdhëroi lëshimin e papritur të miliarda galonëve ujë nga rezervuarët e Luginës Qendrore pa ndonjë arsye, Trumpi tha se rrjedha e ujit po shkonte në drejtim të Los Angeles – ndonëse ajo nuk po shkonte në Los Angeles dhe nuk kishte asnjë gjasë reale të shkonte atje.