(Këto njihen si fotografitë e para të rajonit ballkanik! Fotografitë e Jozef Sekelit, u realizuan gjatë ekspeditës austro-hungareze në Shqipërinë e veriut, Kosovë e Maqedoni në vitin 1863, – një udhëtim i kryesuar nga albanologu gjerman Johan Georg fon Han (1811-1869).
Gjatë kohës kur shërbente si zëvendëskonsull në Janinë (1843-1847) Han ra në kontakt me shqiptarë, ku mësoi e shqip. Nga kurioziteti (ndërsa emërohet konsull në Ishullin Siros) ai ndërmerr tri udhëtime në Shqipëri ku mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë e folklorin shqiptar. Materialet e tij u përmblodhën në veprën e tij me tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare -1854), vepër e cila hodhi themelet e para të albanologjisë.
Në ekspeditën e fundme, nga gushti në nëntor 1863, Hani e bashkudhëtarët e tij rrugëtuan nga Durrësi në Shkodër, në lumin Drin për në Prizren, e më tej në Maqedoninë perëndimore. Interesat e Hanit për Shqipërinë e krejt Ballkanin ishin të shumëllojshme, ku përveç albanologjisë, ai hodhi e themelet e historisë së fotografisë, në këtë pjesë të Ballkanit.
Më 23 qershor 1863, Hani i dërgoi një letër Akademisë së Shkencave të Vjenës, duke kërkuar një fotograf kompetent, i cili do ta shoqëronte dhe do të bënte fotografi të qyteteve dhe të terrenit malor. Akademia propozoi doktorin e masterit për farmakologji, njëherazi fotografi njëzetepesëvjeçar, Jozef Sekeli (Josef Székely; 1838-1901) duke i dhënë atij në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën.
Ekspedita rezultoi me një koleksion prej pesëdhjetë fotografish – nga më të hershmet në rajon. Për të përdorur “makinën fotografike” dhe “vagonin e pllakave” që kishte sjellë me vete, Sekelit i nevojitej dy orë e gjysmë thjesht për një fotografi “të një shkëmbi të madh romantik”. Gjithë kjo i tregoi Hanit se: “fotografia s’është gjë që mund të kryhet shpejt e shpejt. Ose mund të udhëtosh, ose mund të fotografosh”.
Nga dokumentacioni i mbledhur, Han do të botonte “Griechische und albanesische Märchen” (“Përralla greke dhe shqiptare”, botuar në Lajpcig 1864); për rrëfimet e ekspeditave të tij në Ballkan: “Reise von Belgrad nach Salonik” (Udhëtim nga “Beogradi në Selanik”, botuar në Vjenë 1861) si dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (“Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”, botuar në Vjenë 1867, 1869).
Ndërsa, fotografi Jozef Sekeli në vitin 1867, fitoi çmimin e bronztë në “Panairin Botëror” në Paris (ndoshta me fotografitë e Shqipërisë) dhe më 1878 fitoi në Paris, “Çmimin e argjendtë”. Në vitin 1889, trembëdhjetë foto të Sekelit u botuan në vëllimin “Makedonien und Alt-Serbien” (Maqedonia dhe Serbia e Vjetër) prej Spiridion Gopçeviqit (1855-1936), por pa datë e pa emrin e fotografit, mirëpo, pas kësaj, koleksioni u zhduk për më shumë se një shekull. U rizbulua në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë prej Mark Kohenit (Mark Cohen) në vitin 2000. Koleksioni i digjitalizuar ndodhet tani në Bildarchiv të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë (www.bildarchiv.at).