21 dhjetor 1992/ Kur Krishtlindja ligjërohej si feste zyrtare

Parlamenti pluralist do të miratonte ligjin festat fetare të tri besimeve Katolikë, Myslimanë Ortodoksë por do të kishte debate lidhur me festën e bektashinjve

Më 4 nëntor 1990, do të mbahej në Shkodër mesha e parë me një pjesëmarrje të vogël, pas 23 vitesh ndalimi me dhunë të besimit fetar prej diktaturës komuniste.

Një javë më pas, më 11 nëntor, populli i Shkodrës mori pjesë masivisht në meshën e parë publike të drejtuar nga Dom Simon Jubani. Pak ditë më pas më 16 nëntor 1990 do të mbahej falja e parë e besimtarëve myslimane te Xhamia e Plumbit, po në Shkodër. Mijëra besimtarë mylsimanë morën pjesë në lufjen e drejtuar nga Hafiz Sabri Koçi. Ai nëntor i 1990, pak javë para se të rrëzohej diktatura, do të mbahet mënd përgjithmonë nga besimtarët që u ndaluan prej regjimit të besojnë në Zot.

Dy vite më pas, në dhjetor 1992, parlamenti pluralist do të zyrtarizonte festat fetare në Shqipëri.

Në një debat parlamentar, ku përgjithësisht pati mirëkuptim, u vendos me ligj shpallja e festave fetare në Shqipëri të katër besimeve, Katolikë, Myslimanë, Ortodoksë dhe Bektashi. I vetmi moment ku pati pak debat ishte për fenë Bektashi pasi disa deputetë e konsideronin më tepër si sekt.

Seancë parlamentare 21 dhjetor 1992

Namik Dokle – Ky projektligj ka një problem të qartë, dhe një problem shumë të paqartë. Problemi i qartë është ai i festave fetare dhe është gjë e mirë që Parlamenti këto festa fetare i shpall njëkohësisht edhe si festa zyrtare, si ditë pushimi, për të respektuar 3 besimet fetare që ushtrohen në vendin tonë.

Unë jam dakord edhe me propozimin që në numrin e festave fetare të shtohet edhe një tjetër, ajo që është festa e Novruzit të madh. Aq më tepër për faktin se sekti i bëktashinjve në Shqipëri jo vetëm që është i njohur brenda në Shqipëri, po për të ekziston dhe një respekt e nderim në rang botëror, përderisa kryegjyshata e këtij sekti e ka selinë në Shqipëri. Pra, grupi ynë parlamentar është plotësisht dakord që në festat zyrtare të Republikës së Shqipërisë të shtohen Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Pashkët ortodokse, Pashkët katolike, Krishtlindjet dhe Novruzi.

 Arben Imami – Qëllimi dhe shqetësimi i të gjithëve ne ka qenë që Krishtlindjet t’i presim siç duhet dhe të miratohet ligji. Do të flas njëherë për festat fetare. Jam i mendimit se propozimi që bën zoti Laço është disi i pabazuar, për shkak se këtu nuk është se kemi 3 festa, që bien në një ditë, d.m.th. se secili ka një festë të tij dhe Krishtlindjet i kanë të përbashkëta. Për sa i përket festës së bëktashinjve, ky është një sekt dhe ne nuk mund të hapim precedent të tillë, mendoj unë, që sektit fetar t’i japim të drejtën e një dite të tillë pushimi, për arsye se pastaj do të detyrohemi të vazhdojmë në këtë rrugë po e hapëm precedentin.

Halit Shamata – Unë mendoj që miratimi i këtij projektligji është një ogur i mbarë për Parlamentin tonë, për faktin se në katalogun e këtyre festave zyrtare që do të miratohen si ditë pushimi për herë të parë pas një periudhe të gjatë, si të thuash heshtjeje dhe imponimi, rehabilitohen festat fetare. Unë mendoj që katalogu i festave që miratohen në këtë projektligj është mese i shenjtëruar, prandaj do të gjykoja që miratimi i këtij projektligji duhet të kalojë. Në mënyrë që Parlamenti shqiptar, në një farë mënyre t’i uroj popullit shqiptar Krishtlindjet që janë në prag. Unë jam dakord që ka një ndryshim midis ditëve që janë ditë përkujtimore dhe festave zyrtare. Natyrisht, unë nuk jam dakord me atë që çdo festë zyrtare e miratuar duhet të jetë ditë pushimi. Katalogu i festave dhe i ditëve përkujtimore të popullit shqiptar, është i gjerë dhe Komisioni i Ligjeve me të drejtë ka sugjeruar që një grup parlamentar të mblidhet në bashkëpunim me historianët dhe me specialistët dhe të miratojë një katalog të plotë të festave dhe të ditëve përkujtimore. Kjo gjë vlen edhe për ditët dhe festat fetare. Këtu pati një sugjërim, i cili natyrisht duhet marrë në konsideratë, lidhur me zgjerimin e hapësirës së festave fetare. U përmend këtu Novruzi e ku di unë. Edhe këtu qëndron, si të thuash, i njëjti paralelizëm. Ka ditë fetare që janë ditë përkujtimore, ka dhe festa, si Bajram, Krishtlindjet etj.

Tomor Malasi – Në fund, mbasi t’i mbarojmë të gjitha këto, pastaj do të kalojmë me propozimet. Kush është dakord me: Dita e parë e Bajramit të Madh?

Kundër?

Abstenim?

Bajram i Vogël- Dita e parë, gjithashtu, kush është dakord? Kundër?

Abstenim?

Miratohet. Pashkët Ortodokse, gjithashtu, dita e parë.

Kundër?

Abstenim? Miratohet.

Pashkët Katolike- Dita e parë. Kush është dakord?

Kundër?

Abstenim? Miratohet.

Krishtlindjet- Dita e parë.

Kundër?

Abstenim?

Propozimi i parë që është bërë është për Novruzin, dita e Novruzit. Kush është dakord me propozimin e bërë që të jetë pushim dhe festa e Novruzit?

Kundër?

Abstenim?

Miratohet, me shumicë votash dhe dita e Novruzit.