21 viktima nga sulmi me raketa ruse në Ukrainë, reagon Zelensky: Vetëm një bastard sillet kështu

Një sulm me raketa ruse në qytetin Sumy në Ukrainën verilindore këtë mëngjes ka shkaktuar 21 viktima. Lajmi është bërë i ditur për mediat nga kryebashkiaku Artem Kobzar në Telegram. Sipas ministrit të Brendshëm ukrainas, Igor Klymenko, 83 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmi, mes tyre 7 fëmijë.

Kreu i Qendrës për Kundër Dezinformimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Andriy Kovalenko, theksoi se rusët nisën qëllimisht sulmin të Dielën e Palmës për të shkaktuar viktima të shumta.

Një video e telefonit celular e postuar në mediat sociale, dhe e ripostuar nga Volodymyr Zelensky në llogarinë e tij X, tregon një rrugë në Sumy pas sulmit raketor rus. Trupat mund të shihen të shpërndarë në tokë, disa të rreshtuar, mes mbeturinave dhe rrënojave dhe shpëtimtarët që nxjerrin një kufomë nga një ndërtesë. Në sfond mund të shihen makina të djegura me kolona tymi të zi që ngrihen.

Zemërimi i Zelensky-t: Vetëm një bastard mund të sillet kështu

“Një sulm i tmerrshëm me raketa balistike ruse në Sumy. Raketat e armikut godasin një rrugë të zakonshme të qytetit, jetën e përditshme: shtëpi, institucione arsimore, makina në rrugë… Dhe kjo po ndodh në një ditë kur njerëzit shkojnë në kishë: të Dielën e Palmave, festën e hyrjes së Zotit në Jerusalem. Sipas të dhënave paraprake, dhjetëra civilë ukrainas kanë mbetur të vrarë dhe të plagosur. Vetëm një bastard mund të sillet kështu”, ka shkruar Volodymyr Zelensky në Telegram.

Ai bën thirrje për një përgjigje globale ndaj këtyre vrasjeve.

“Nevojitet një përgjigje e fortë globale. Shtetet e Bashkuara, Evropa, të gjithë në botë që duan t’i japin fund kësaj lufte dhe këtyre vrasjeve. Rusia dëshiron pikërisht këtë lloj terrori dhe po e zgjat këtë luftë. Pa presion mbi agresorin, paqja është e pamundur. Bisedimet nuk kanë ndalur kurrë balistikat dhe bombat ajrore”, theksoi kreu i shtetit.

“Ne kemi nevojë për një qëndrim ndaj Rusisë që e meriton një terrorist. Faleminderit të gjithëve që janë me Ukrainën dhe na ndihmojnë të mbrojmë jetën”. Zelensky më pas shprehu “ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë” e viktimave, duke shtuar se “një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar”.