Seminari u themelua në Palermo në vitin 1734 dhe konsiderohet si qendra e parë albanologjike.
Gjergj Guxeta njihet gjerësisht si themeluesi i kësaj qendre arsimi, edukimi dhe kulture, vatër e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe traditave arbëreshe. Drejtuesi i parë i saj, në cilësinë e Rektorit ishte arbëreshi Pjetër Andrea, me origjinë nga Himara, i cili e drejtoi për 10 vjet me radhë.
Seminari u bë një vatër e kulturës shqiptare. Në të u formuan një varg intelektualësh arbëreshë, shkrimtarësh e poetësh të shquar, traditë e cila dëshmoi për vendosmërinë e përhapjes së kulturës së trashëgimisë arbëreshe në shekuj.
Antonio Bellusci & Ornela Radovicka, “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë, 2020, f. 391-392