Sot shënohet 33-vjetori i Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, një ngjarje historike e rëndësishme që e hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës.
Referendumi u mbajt më 26 shtator 1991, me vendim të Kuvendit të Kosovës nga mbledhja e 22 shtatorit dhe në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte miratuar më 7 shtator 1990.
Siç thekson shkrimtari dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi, “në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës”, duke konfirmuar kështu “Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, të miratuara një vit më parë.
Buxhovi shton se kjo ngjarje ishte një shprehje e qartë e vullnetit politik të popullit të Kosovës, pavarësisht “represionit të madh policor” nga qeveria e Beogradit, e cila nuk mundi ta pengonte referendumin.
Ky plebishit shënoi evoluimin politik nga kërkesa për barazi kushtetuese në federatë drejt një shteti të pavarur, shkruajnë mediat e Kosovës.
Buxhovi thekson se ky proces “filloi të jetësohet me krijimin e institucioneve shtetërore”, duke kontribuar në formimin e një “shteti paralel” që veproi deri më 12 qershor 1999, kur Kosova u vendos nën protektoratin ndërkombëtar.
Kjo ditë historike mbetet themeli i shtetformimit të Kosovës dhe një përkujtim i rëndësishëm që na udhëheq në reflektimin mbi rrugën tonë drejt pavarësisë, e cila u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.