37-vjeçari nga Kosova sherr me 2 punonjës karburanti në Lezhë, përfundon në spital

Një 37-vjeçar nga Kosova dhe 2 punonjës të një karburanti u përfshinë në një konflikt këtë të shtunë në Lezhë.

Sipas të dhënave të para të Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë-Milot. Shkak për konfliktin u bë një përplasje për motive të dobëta.

Me ndërhyrjen e policisë, 37-vjeçari nga Kosova u dërgua fillimisht në spital për ndihmë mjekësore. Më pas, së bashku me dy punonjësit e karburantit ai do të duhet të përballet me Policinë, pasi të tre janë ndaluar për të dhënë sqarime për ngjarjen në fjalë.

“Në ambientet e një karburanti në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë – Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, janë përfshirë në konflikt fizik dhe me mjete të forta, shtetasi kosovar M. M. 37 vjeç me dy shtetas shqiptarë ( punonjës te karburanti) N. S. 61 vjeç banues në Lezhë dhe K. R. 52 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Si pasojë e konfliktit ka mbetur i dëmtuar fizikisht shtetasi kosovar M. M. i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga patrulla e policisë, ndërsa shtetasit N. S. dhe K. R. janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë. Gjithashtu, gjatë konfliktit, nga këta shtetas janë dëmtuar edhe ambientet e zyrës së qëndrimit të punonjësve të karburantit si dhe automjeti i shtetasit kosovar. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve dhe sqarimit të situatës, do të jepet një njoftim i dytë sqarues,”- tha Policia e Lezhës në një njoftim për mediat.