Për Enzion, Pieron dhe Giacomon, kjo është hera e disatë që vijnë në Shqipëri.
“Ne jemi një grup shoqëror. Pushimet verore i kemi mbaruar e këto le të themi i kemi shtesë. Për kuriozitet më shumë”, thotë njëri prej tyre për A2 CNN.
Çmimet e lira të biletave të fluturimeve janë arsyeja kryesore: “Erdhëm sot e do rrimë deri të dielën pasdite. Pastaj kthehemi sërish në Itali. Kemi gjetur bileta 45 euro vajtje-ardhje. Është si të hash një drekë në një qytet tjetër. Plus edhe çmimet e apartamenteve me qira ditore në Tiranë janë të lira”.
Të dhënat nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas tregojnë se në harkun e muajve janar-korrik, me anë të tij kanë hyrë dhe kanë dalë nga Shqipëria gati 6 milionë udhëtarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, numri i pasagjerëve është dyfishuar. Kontribut në këtë rritje kanë edhe shqiptarët e Kosovës që zgjedhin Tiranën për të fluturuar jashtë për shkak të çmimeve më të lira të biletave se në aeroportin e Prishtinës.
Katania e Italisë është aeroporti prej nga ku ka pasur më shumë fluturime drejt Tiranës dhe anasjellas. Me avionët që përshkojnë këtë linjë kanë udhëtuar mbi 29 mijë qytetarë vetëm në korrik, 5-fish më tepër se një vit më parë. Shtim të fluturimeve ka pasur nga dhe drejt Kopenhagenit të Danimarkës, Parisit të Francës dhe Rigës së Letonisë. Nga ana tjetër, ulje të konsiderueshme ka pasur nga dhe drejt Vilniusit të Lituanisë, Milanos e Veronës së Italisë dhe Beogradit të Serbisë.
Të dhënat nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” tregojnë se pjesa më e madhe, mbi 5,7 milionë udhëtarët që kanë mbërritur apo janë nisur nga Rinasi kanë fluturuar me avion pasgjerësh, ndjekur nga “charter”-at e agjencive të turizmit dhe ata të individëve privatë.
Si në çdo fushë të jetës, edhe këtu çdo e mirë e ka një të keqe. Flukset e shtuara të turistëve vijojnë t’i japin jetë problemit të vjetër të trafikut të automjeteve në Aeroportin e Rinasit.