800 mijë euro fonde nga vizitorët/ AQMB thirrje KLSH për auditim të Parkut të Butrintit: Pasuri të jashtëzakonshme priten të transferohen

Aleaca Qytetare për Mbrojtjen e Butrinit shkruan se pavarësisht kërkesave të ekspertëve dhe qytetarëve, Qeveria Shqiptare ka vendosur të transferojë zonën arkeologjike të Butrintit nën menaxhimin e fondacionit të posaçëm të ndërtuar në bashkëpunim me AADF.

Një plan ky tërësisht i gabuar dhe i dëmshëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe bie ndesh me Konventën e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore dhe parimet që rregullojnë mbrojtjen dhe konservimin e trashëgimisë.

‘Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit’  i bën thirrje ‘Kontrolli i Lartë i Shtetit’ të çelë menjëherë procedurën e auditimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, pasurive të jashtëzakonshme që pritet të transferohen, si dhe të departamenteve përkatëse në ministrinë përgjegjëse për kulturën.

ALEANCA QYTETARE PËR MBROJTJEN E BUTRINTIT 
I KËRKON KLSH-SË QË URGJENTISHT TË NDËRMARRË 
AUDITIMIN E PARKUT KOMBËTAR TË BUTRINTIT

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit [AQMB] ka marrë dijeni për planet iminente të qeverisë për transferimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit tek AADF-ja përmes Fondacionit të ashtuquajtur të Posaçëm të Menaxhimit të Butrintit [FMB].
 
Shqiptarët ndodhen përpara transferimit të pashembullt të një pasurie publike me vlerë të jashtëzakonshme monetare, pa përfshirë vleftën e pallogaritshme shpirtërore e si pjesë e trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar me vlera të jashtëzakonshme universale.
 
Kujtojmë këtu se qysh në mars 2020 Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris i kërkonte qeverisë shqiptare të kuantifikonte vlerën në natyrë që  do të kontribuonte tek FMB-ja, përkundrejt 5 milion dollarëve që AADF-ja do të investonte për Qendrën e Vizitorëve.  
 
Edhe për vetë UNESCO-n ishte më se e qartë se, në ekuacionin e koncesionit të Butrintit, kontributi në natyrë i shtetit shqiptar përbënte pjesën dërrmuese të fondit të themelimit, krahasuar me kontributin e hiperbolizuar të AADF-së.
 
Mirëpo as kjo kërkesë e UNESCO-s nuk mori asnjëherë përgjigje.
 
Në seancën publike të nëntorit 2023 në Gjykatën Kushtetuese të gjithë shqiptarët panë se si përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit u zotuan publikisht se, duke filluar nga janari 2024, KLSH-ja do të ndërmerrte një auditim të thelluar dhe të plotë të Parkut Kombëtar të Butrintit. Kjo bazuar në Planin Vjetor të Auditimit të KLSH-së për vitin 2024, dhe do të përfshinte auditimin e vlerës si pasuri të patundshme të objekteve të paçmuara të kulturave ilire, romake, helenistike, bizantine, otomane dhe të epokës së sotme në Butrint.
 
Mirëpo ende sot, më 31 tetor 2024, nuk ka asnjë informacion se KLSH-ja vërtet e ka përmbushur zotimin e saj përpara popullit shqiptar, si dhe detyrimin e saj kushtetues dhe ligjor.

Më tej, para ca ditësh ministri Blendi Gonxhja deklaroi se për tre muajt e fundit Parku Kombëtar i Butrintit ka mbledhur si të ardhura nga shitja e biletave rreth 800,000 Euro, shifër kjo e barabartë sa mblidhte Parku gjatë kryesimit të ministries së kulturës nga zonjat Kumbaro dhe Margariti.  Edhe këto fonde të konsiderueshme publike, ende të paaudituara, do t’i transferohen shumë shpejt të ashtuquajturit Fondacion për Menaxhimin e Butrintit.
 
Nga gjithë sa më sipër, del e domosdoshme dhe urgjente që Kontrolli i Lartë i Shtetit të çelë menjëherë procedurën e auditimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, pasurive të jashtëzakonshme që pritet të transferohen, si dhe të departamenteve përkatëse në ministrinë përgjegjëse për kulturën.
 
Auditimi i KLSH-së do të përcaktonte vlerën dhe gjendjen e saktë aktuale sa i takon përputhshmërisë, ligjshmërisë, rregullshmërisë, menaxhimit financiar, kontabilitetit, si dhe ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit të administrimit të pasurisë dhe fondeve publike apo shtetërore në Parkun Kombëtar të Butrintit.  
 
Ky hap i domosdpshëm i KLSH- lyp edhe një kontroll të plotë dhe të thelluar të të gjitha aspekteve financiare e ekonomike të vetë Planit të Menaxhimit të Integruar, të miratuar me VKM-në nr. 583, dt. 21.07.2020, si dhe çdo plani, prognoze apo dokumentacioni financiar të mëpasshëm.
 
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit thekson se ndërhyrja urgjente e KLSH-së bazohet në dispozitat kushtetuese që rregullojnë Kontrollin e Lartë të Shtetit, gjegjësisht në Nenin 163.c të Kushtetutës [veprimtaria ekonomike e personave juridikë në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve dhe të aksioneve…], si dhe në dispozita të tjera.  
 
Përfshirja e ngutshme e KLSH-së mbështetet edhe në Nenin 6.2 (fushat e mbulimit), Nenin 10.b e 10.c (të ardhura publike, fonde publike, pronë publike apo shtetërore) të të njëjtit ligj, si dhe si dhe Nenin 10.ë (koncesionet), duke pasur parasysh që rregullimi i ri ligjor për Parkun Kombëtar të Butrintit është në thelb një formë koncesionare sipas ligjeve në fuqi, edhe pse shprehimisht nuk quhet e tillë.
 
Theksojmë së fundmi se roli i domosdoshëm kontrollues e audites i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Butrint është njohur dhe konfirmuar përfundimisht edhe nga Gjykata Kushtetuese.
 
Bazuar në sa më sipër, dhe para së gjithash në riskun veçanërisht të lartë me të cilin ballafaqohet kjo pasuri shtetërore/publike, posedimi, kontrolli dhe menaxhimi i së cilës parashikohet t’i transferohet këto ditë një fondacioni privat, Aleanca Qytetar për Mbrojtjen e Butrintit i bën thirrje publike Kontrollit të Lartë të Shtetit që të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur procedurën e auditimit të plotë dhe të thelluar të pasurisë shtetërore/publike të Parkut Kombëtar të Butrintit.
 
 

Ata gjithashtu e cilësun vetë nismën e AADF-së si të gabuar në themel, një model që i jep perparësi fitimit, në vend që të vlerësojë më të rëndësishmen e Butrintit, ruajtjen të pacenuar, konservimin dhe përdorimin e vlerave të jashtëzakonshme universale të Butrintit për brezin e sotëm dhe për brezat e ardhshëm.

“I kujtojmë Majkëll Granoff se Qendra e shumëtrumbetuar e vizitorëve, ne shqiptarëve po përdoret pikërisht si preteks për të justifikuar marrjen në zotërim, kontroll e menaxhim, të të të gjithë parkut arkeologjik të Zonës A3 në Butrint, bashkë me vlerat e jashtëzakonshme universale të saj.”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tyre. 

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit [AQMB] vë në dukje faktin se përkundër kërkesave të ekspertëve dhe të qytetarëve, Qeveria Shqiptare ka vendosur efektivisht të transferojë zonën arkeologjike të Butrintit nën menaxhimin e fondacionit të posaçëm të ndërtuar në bashkëpunim me AADF.

Aleanca përsërit se i gjithë plani konsiderohet prej nesh tërësisht i gabuar dhe i dëmshëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe bie ndesh me Konventën e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore dhe parimet e shëndosha që rregullojnë mbrojtjen dhe konservimin e trashëgimisë.

Lidhur me Butrintin, Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Butrintit u njoh me deklaratën e z. Majkëll Granof [Granoff] tek Zëri i Amerikës më 17 tetor 2024. Aty ai përmendi Qendrën e Vizitorëve “që do të ndërtohet në Butrint me një dizajn të pabesueshëm”; dhe se “në fillim të muajit të ardhshëm Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit do të nisë përpjekjet për të përmirësuar gjërat në terren atje”. Me fjalë të tjera, më 1 nëntor 2024 sipas z. Granoff, kontrolli, posedimi, administrimi, menaxhimi, konservimi dhe ruajtja e vlerave të jashtëzakonshme universale të Butrintit do të transferohen nga Shteti Shqiptar dhe do t’i kalojnë AADF-së, përfaqësuar nga FMB-ja.

Aleanca e konsideron vetë nismën e AADF-së si të gabuar në themel, një model i pashembullt që i jep perparësi fitimit, në vend që të vlerësojë më të rëndësishmen e Butrintit, ruajtjen të pacenuar, konservimin dhe përdorimin e vlerave të jashtëzakonshme universale të Butrintit për brezin e sotëm dhe për brezat e ardhshëm.

I kujtojmë z. Granoff se Qendra e shumëtrumbetuar e vizitorëve, ne shqiptarëve po përdoret pikërisht si preteks për të justifikuar marrjen në zotërim, kontroll e menaxhim, të të të gjithë parkut arkeologjik të Zonës A3 në Butrint, bashkë me vlerat e jashtëzakonshme universale të saj.  Më tej, projekti i “Qendrës së Vizitorëve” është kritikuar haptas nga UNESCO dhe ICOMOS-i për cenim të pakthyeshëm të peizazhit natyror, si një nga vlerat e jashtëzakonshme universale të Butrintit. Qasja sfiduese e z. Granoff na shtyn të mendojmë se AADF-ja do të shpërfillë UNESCO-n edhe në Butrint, njëlloj si në Parkun Drilon Tushemisht, të Liqenit të Ohrit.

Në intervistën e tij Z. Granoff përmendi edhe “polarizimin dhe politizimin e gjërave ” duke zhvlerësuar kështu punën dhe përpjekjet e AQMB-së dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile dhe jo vetëm, si dhe të mbarë qytetarëve të këtij vendi, për t’iu kundërvënë projektit anti-UNESCO të Richard Hodges-it. Po ashtu, kundërshtimi me mjete kushtetuese dhe ligjore i projektit të Hodges-it, që do të vijojë edhe në të ardhmen pavarësisht nga vendimi absurd i Gjykatës Kushtetuese, përbën një të drejtë të padiskutueshme kushtetuese të qytetarëve të këtij vendi dhe përfaqësuesve të tij në Kuvend. Është për të ardhur keq që këto përpjekje tërësisht demokratike z. Granoff i emërton si “polarizim dhe politizim i gjërave”.

Z. Granoff në fund bëri edhe pyetjen retorike “çfarë keni bërë për të mbështetur vendin, çfarë keni bërë për të mbështetur trashëgiminë kulturore” së cilës iu përgjigj vetë me pyetjen: “apo keni ndërtuar hotele diku?”.[1]

Duke mos dashur të shqyrtojmë përfitimet dhe kontributet e AADF në ekonominë shqiptare në tërësi, të mirat dhe koncesionet e fituara pa garë, Aleanca dëshiron të rikujtojë se përqasja e biznesit për biznes në ndërhyrjet në trashëgiminë kulturore prodhon lajme pa substancë, por kurrsesi nuk prodhon zhvillim të qëndrueshëm.

Ndërsa ky është një problem relativisht i vogël në objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, në lidhje me Butrintin ky është një problem madhor. Mjafton t’i hedhësh një sy planit të biznesit të menaxhimit të Butrintit, të prezantuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të kuptuar se sa thellësisht gabim është përqasja e z. Granoff. Plani bazohet në objektivin e thjeshtë të krijimit të fitimeve, kur në fakt, objektivi i menaxhimit të Butrintit duhet të jetë vetëm dhe vetëm konservimi, studimi, hulumtimi dhe transferimi tek brezat e ardhshëm, detyra të cilat i takojnë kryesisht Shtetit Shqiptar.

Aleanca vëren se suksesi i z. Granoff në biznes është i padiskutueshëm. Problemi që ai dukshëm nuk arrin të kuptojë është që trashëgimia kulturore nuk është biznes.

Ne i bëjmë thirrje z.Blendi Gonxhja që absolutisht të mos ta firmosë tjetërsimin e Butrintit për tek AADF/FMB-ja. Le ta marrë përsipër vetë Edi Rama kêtë akt të pashembullt po të dojë, që do të mbetet në histori si akti më i rëndë ndaj trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar.

Ne i kujtojmë së Ngarkuarës me Punë të SHBA në Shqipëri, znj. Nancy Van Horn, se jo gjithçka që prek AADF-ja u transformuoka në flori! Pavarësisht nga propaganda shurdhuese, ka plot shembuj të punës së AADF-së që janë në kundërshtim me vlerat amerikane. Sa i takon trashëgimisë kulturore, AADF-ja nuk ka asnjë tagër në menaxhimin dhe administrimin e saj, pavarësisht nga qëndrimeve oportuniste të qeverisë shqiptare. Nga ana tjetër, ne do të mbështesnim çdo program partneriteti dhe binjakëzimi me National Park Service, por denoncojmë botërisht ekperimentet që AADF-ja don të bëjë në trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në hapësirat tona publike.

Së fundi, lidhur me pyetjet që z. Grranoff shtroi para Zërit të Amerikës, na lind edhe ne e drejta t’i bëjmë një pyetje të vetme atij. Ç’punë ka AADF-ja me pasuritë publike – theksojmë publike –  të trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërkohë që Kongresi Amerikan e ka autorizuar AAEF/AADF-në që të ketë si mision të saj të vetëm “zhvillimin e sektorit privat”? 

Larg duart nga Butrinti, z. Granoff!