Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka krahasuar mesazhin e tifozëve të Crvena Zvezdës ndaj Kosovës me atë që u konsiderua si “fitili” i luftërave në ish-Jugosllavi në vitet e ’90-ta.
Të mërkurën, në ndeshjen miqësore ndaj Fiorentinës në Beograd, tifozët e Zvezdës, “Delije”, shfaqën një koreografi me një tank, duke ia bashkangjitur shkrimin: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Përmes një reagimi në Twitter, Kurti ka thënë se edhe në vitin 1990, tifozët serbë të Zvezdës, të udhëhequr nga Arkani, u revoltuan kundër Kroacisë, e që disa vlerësuan se ishte shkëndijë e luftërave që shpërthyen më pas në ish-Jugosllavi.
“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY [Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi], Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka shkruar Kurti.
Më herët, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar reagim ndërkombëtar ndaj “aparaturës propagandistike” të tifozëve serbë të Zvezdës.