Shkencëtarët ringjallin një krimb pasi qëndroi për 46,000 vjet i ngrirë

Shkencëtarët kanë mundur të ringjallin një krimb që ishte ngrirë 46,000 vjet më parë, kohë kur mamuthët e leshtë, tigrat me dhëmbë sabre endeshin në Tokë.

Krimbi i rrumbullakët, i një specie të panjohur më parë, mbijetoi 40 metra nën sipërfaqe në permafrost siberian në një gjendje të fjetur të njohur si kriptobiozë.

Teymuras Kurzchalia, profesor në Institutin Max Planck të Biologjisë dhe Gjenetikës Molekulare të Qelizës në Dresden shpjegon se organizmat në gjendje kriptobiotike mund të durojnë mungesën e plotë të ujit ose oksigjenit dhe t’i rezistojnë temperaturave të larta, si dhe kushteve të ngrirjes ose jashtëzakonisht të kripura.

Ata mbeten në një gjendje “midis vdekjes dhe jetës”, në të cilën normat e tyre metabolike ulen në një nivel të pazbulueshëm, shpjegoi Kurzchalia.

“Mund të ndalojë jetën dhe pastaj ta fillojë atë nga e para. Ky është një zbulim i madh”, tha ai, duke shtuar se organizmat e tjerë të ringjallur më parë nga kjo gjendje kishin mbijetuar për dekada dhe jo për mijëvjeçarë.

Pesë vjet më parë, shkencëtarët nga Instituti i Problemeve Fizikokimike dhe Biologjike në Shkencën e Tokës në Rusi gjetën dy lloje të krimbave të rrumbullakët në permafrostin siberian.

Një nga studiuesit, Anastasia Shatilovich, ringjalli dy nga krimbat në institut thjesht duke i rihidratuar me ujë, përpara se të merrte rreth 100 krimba në laboratorë në Gjermani për analiza të mëtejshme.