Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me ministrin Hekuran Murati, ka vizituar pensionisten më të moshuar në Kosovë.
Sipas Muratit, ajo ka lindur në vitin 1909, e tash është 113 vjeçe, shkruan Reporteri.net.
“Bashkë me Kryeministrin Kurti, pas vizitës tek prodhuesit vendorë, sot ishim në vizitë edhe te halla Xhezide, e cila me 113 vite është pensionistja më e moshuar në Republikën tonë. E lindur në vitin 1909, ajo ka përjetuar shumë situata e ndryshime epokash. Por pavarësisht moshës së shtyrë ajo ende kishte kthjelltësinë e mendjes dhe forcën fizike”, shkroi Murati në Facebook.
Tutje tha se takuan edhe djalin e saj.
“Në Mitrovicë vizituam edhe lokalin e rrobaqepësisë të të birit të saj Farukut, i cili anipse i pensionuar tashmë, vazhdonte punën me zejen që e ushtronte tash e 54 vite. Ai na tregoi edhe për kohën e tij si boksier e pastaj edhe si trajner boksi në Klubin Trepça. Farukut i uruam punë të mbarë, e hallës Xhezide jetë sa më të gjatë!”, shkroi tutje. /Reporteri.net/.