Jeff Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është deklaruar dje për shumë çështje, nga ajo për rastin e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, shtensiomin në veri e kufijtë e shtetit të Kosovës. Si rrallë, Hovenier ishte i qartë në të gjitha frontet, duke bërë që të reagojë edhe Serbia në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan për Listën Serbe.
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, pasi ky i fundit ka thënë se Kosova është shtet demokratik, me kufijtë ekzistues.
Hovenier u shpreh se “ne e dimë saktësisht ku është kufiri”, teksa shtoi se ShBA-të e njohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe demokratik.
Në një shkrim në Twitter, Petkoviq ka thënë se“Kufijtë e Kosovës janë të Serbisë”, duke përmendur kështu rezolutën 1244 të OKB-së.
Ndërsa ka shtuar se Lista Serbe është parti opozitare si të gjitha partitë opozitare, duke theksuar s’e nuk e konsiderojnë subjekt politik serb, por parti të serbëve etnikë në Kosovë.
“Ne e dimë mirë ambasador Jeff Hovener, kufijtë në Kosovë, janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, ka deklaruar Petkoviq.
Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit i ka reaguar drejtorit të të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ai përmes një postimi në Twitter i tha Petkoviqit se ai i di kufijtë nga kërkesat që i bën për vizita në Kosovë.
”Nga të gjithë zyrtarët e Serbisë, ju e dini më së miri se ku janë kufijtë e Kosovës, gjë që ju e shënoni në kërkesat tuaja për të vizituar Kosovën. Lista Serbe është e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës – sipas ligjeve Kosovës”, ka shkruar Vela
Reagimet vijnë pasi dje Hovenier, ka deklaruar se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.
“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë”, tha ai.
“Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”.
Pos Petkoviqit edhe Lista Serbe i ka reaguar ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ishte i qartë që Kosova është shtet i pavarur demokratik dhe se Lista Serbe është si të gjitha partitë opozitare në Kosovë, pra nuk është parti serbe por që përfaqëson serbët etnikë në Kosovë.
Ky subjekt politik thotë se kjo deklaratë vjen pasi zyrtarë të Listës Serbe ishin në një vizitë në Uashington – dhe sipas këtij subjekti politik deklarata ishte për “t’ia bërë qefin” opinionit në Kosovë.
Në lidhje me këtë thonë se ata përfaqësojnë kudo “interesat e popullit serb”.
”Përfaqësuesit e Listës Serbe kudo që janë, dhe këdo që takojnë do të përfaqësojnë gjithmonë interesat e popullit serb, sepse është detyrë e jona ndaj qytetarëve që mbështesin partinë tonë. Gjithashtu duam të theksojmë se politikën tonë gjithmonë e kanë vendosur autoritetet e Listës Serbe duke respektuar interesat e qytetarëve tanë, dhe jo nga diktimi i askujt, dhe se kështu do të vazhdojë të jetë.
Si në Uashington, ashtu edhe ne Prishtinë, në cilindo qytet të botës apo para ndërtesave komunale me qytetarët e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike, gjithmonë do te luftojmë për te drejtat e popullit serb, mbijetesën dhe qëndrimin e tyre ne vatrat e tyre shekullore”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Çka tha ambasadori amerikan?
Para gazetarëve të Kosovës, Hovenier deklaroi se ShBA-ja, plus partnerët e amerikanëve, janë të shqetësuar për rastin e Klan Kosovës.
“Nuk besoj që është mister që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë janë të shqetësuar me situatën. Thellë të shqetësuar.” – u shpreh ambasadori amerikan.
Hovenier vlerësoi se ShBA-ja dhe partnerët e amerikanëve, nuk e shohin këtë temë vetëm si çështje biznesi, por edhe si çështje të lirisë së mediave.
“Nuk e shohim këtë çështje thjesht si çështje biznesi. E shohim si çështje të lirisë së mediave dhe po e adresojmë si të tillë.” – ishte fjalia tjetër e qartë e ambasadorit për rastin në fjalë.
E pasi e krue çështjen e Klan Kosovës, z. Hovenier foli edhe për veriun. Së pari, ai tha se situata duhet të shtensionohet, duke e përmendur edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Për Qeverinë e Kosovës, ne po kërkojmë që ajo të ndërmarrë veprime që de-eskalojnë tensionet në veri dhe krijojnë një mjedis të ndryshëm në të cilin të dyja vendet mund të punojnë drejt zbatimit të plotë të zotimeve që kanë marrë në marrëveshjen e Ohrit. Për Kosovën kjo do të thotë të ecë përpara me njëfarë urgjence në procesin e negociatave dhe themelimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si pjesë e angazhimit të marrë nga Qeveria e Kosovës. Nuk është i vetmi detyrim që ka dhe kjo nuk është dispozita e vetme e marrëveshjes së Ohrit, por është e rëndësishme.” – tha ai.
E pasi e dërgoi mesazhin për Kosovën, Hovenier i kërkoi edhe Serbisë t’i zbatojë obligimet e saj.
“Por po ashtu ne shikojmë që edhe qeveria e Serbisë t’i zbatojë obligimet e saj, ajo ka hyrë në një sërë obligimesh dhe ato duhet të përmbushen. Dhe kjo është pjesë e asaj që diplomacia amerikane dhe diplomacia e kolegëve tanë të Bashkimit Evropian po përpiqet të arrijë.” – shtoi ambasadori amerikan.
Në mesazhet e tij, kryediplomati amerikan në Kosovë nuk e harroi as Listën Serbe e zgjedhje në veri, duke theksuar se ShBA-ja pret që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.
“Jam i sigurt se liderët e Listës Serbe kanë dëgjuar, sepse kam pasur biseda me Escobarin, pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen, kjo është pjesë e përgjegjësive të partive demokratike në demokraci, ju merrni pjesë në procesin demokratik gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë. – tha ai
Tutje, Hovenier theksoi se Lista Serbe është një parti opozitare e Kosovës, shtet sovran e demokratik.
“Ne e konsiderojmë Kosovën shtet sovran, të pavarur dhe demokratik. Dhe kështu, puna që bëjmë me Listën Serbe, një parti që është parti politike e Kosovës, parti opozitare në Kosovë, është e ngjashme me punën që bëjmë me partitë e tjera opozitare në Kosovë, por nuk duhet të bëhet fjalë për pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, ne hedhim poshtë çdo sugjerim se Kosova është disi diçka tjetër përveç shtetit të pavarur, dhe kjo përfshin veriun e Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës, apo jo? Dhe kështu, ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë pike.” – tha ai.