Analisti politik Dushan Janjiq për agjencinë e lajmeve Beta, tha se në veri të vendit nuk ka asnjë “zjarrfikës” që mund të parandalojë “shpërthimin” e konfliktit derisa ka deklaruar se ka edhe shenja se grupet e armatosura në veri janë “shkëputur” nga kontrolli i Vuçiqit.
Janjiq tha se nuk pret që situata të qetësohet në veri deri para pranverës kur pritet të fillojnë bisedimet për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Intensifikimin e konfliktit në Kosovë mund ta parandalojë vetëm dikush që është i fuqishëm politikisht, mediatik, financiarisht dhe ushtarakisht, përkatësisht anëtarët e Kuintit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO. Kjo situatë nuk mund të zgjidhet me marrëveshje, por duhet të ndërpritet. Është e vështirë të parashikohet se kur do të ndodhë kjo”, tha Janjiq.
“Tani është koha për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit. Kfor do të duhej të merrte iniciativën në veri të Kosovës dhe të parandalonte një përpjekje të mundshme të policisë së Kosovës për të hequr barrikadat”, tha Janjiq.
Ai ka thënë se kërkesa e Vuçiqit për dërgimin e 1000 ushtarëve në Kosovë është bërë vetëm për të heshtur pjesën radikale të partisë së tij, si dhe partitë e djathta si NADA apo Nebojš Çoviq, si dhe humbësit e vitit 1999, të cilët tani së bashku janë problemi më i madh politik për Vuçiqin.
Ai ka theksuar se serbët e armatosur në Kosovë tashmë po tregojnë shenja të “shkëputjes” nga kontrolli i Aleksandër Vuçiqit.
“Për një kohë të gjatë ka pasur një mosmarrëveshje politike mes kryetarit dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Milan Radoiçiq, se deri ku të radikalizohet protesta. Shumica e zyrtarëve të Listës Serbe, si Rakiq, nuk janë në barrikada, gjë që është tregues”, ka theksuar Janjiq.