Prindërit e viktimave parashtrojnë kërkesë që Vuçiqi të merret në pyetje për rastin “Panda”

Ivan Niniq, përfaqësues ligjor i prindërve, djemtë e të cilëve u vranë në kafenenë “Panda” në Pejë, ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë për Krim të Organizuar që presidenti Aleksandër Vuçiq të dëgjohet si dëshmitar.

Në kërkesë thuhet se prindërit kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet lidhur me deklaratat e tij për rastin se vrasjet nuk ishin bërë nga shqiptarët, raportoi N1.

Ata kërkojnë përgjigje edhe për deklaratën kur Vuçiqi kishte thënë se kishte informata për atë që kishte ndodhur në kafenenë “Panda”.

Prindërit e tyre disa herë i kanë kërkuar Vuçiqit që të flasë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Më 14 dhjetor 1998, dy burra të maskuar hynë në kafene dhe nga një rafal të shtënash me armë automatike lanë të vdekur pesë nxënës serbë dhe një student.