Shefi i Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe ish-ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, i cili tashmë gjindet nën sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit është aktori kryesor i një afere të madhe spiunazhi ndërkombëtar që ka kërcënuar me të madhe reputacionin e Serbisë.
Në kohën kur ishte në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vulin koordinoi aksionin e përgjimit të opozitarëve rusë në Beograd, që më pas çoi në arrestimin e tyre nga Kremlini, ndërkohë që Beogradi u gjend në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për faktin se ai nënshtroi sigurinë e vendit ndaj shërbimit të regjimit diktatorial të Vladimir Putinit dhe në këtë mënyrë e ndihmoi atë të përballej me kundërshtarët e tij politikë.
Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar, trafikun e drogës dhe abuzimin me postin publik, ishte aktori kryesor i skandalit ndërkombëtar kur në maj 2021, një grup opozitarësh rusë të kryesuar nga Vladimir Kara- Murz dhe Andrej Pivovarov po gjendeshin në Beograd.
Pas kësaj u realizua aksion që rezultoi në arrestimin e Pivovarovit, i cili u dënua me 5 vite burg dhe më pas në prill 2022 u arrestua Kara-Murza, i cili, sipas avokatit rus Dimitri Zahvatov, është gjithashtu në burg për shkak të veprimit që kreu Vulin, bashkë me shefin e Këshillit rus të Sigurisë, Nikollai Patrushev.
“Pivovarov u arrestua sepse Vulin ia dorëzoi Patroshevit përmbajtjen e bisedave të përgjuara. Kara-Murza u arrestua për shkak të këtij veprimi. Në Rusi, kështu kryhen këto gjëra – nëse marrin materiale të mjaftueshme për t’ju etiketuar si tradhtar, sipas standardeve të tyre, ata do të fillojnë procedurëb kundër jush në gjykatë. Arsyeja zyrtare pse Kara-Murza u arrestua dyshohet se ishte një takim në Arizona ku ai foli për luftën në Ukrainë”, thotë Zahvatov.
Kara-Murza u dënua me 25 vite burg në një proces gjyqësor të organizuar, i cili u zhvillua kundër tij përpara një gjykate ruse.
Opozitari rus Vladimir Kara-Murza dënohet me 25 vite burg – si ishte spiunuar në Beograd nga Aleksandar Vulini?
Lexo po ashtu
Opozitari rus Vladimir Kara-Murza dënohet me 25 vite burg – si ishte spiunuar në Beograd nga Aleksandar Vulini?
Si u krye operacioni i përgjimit?
Dy javë pas vizitës në Beograd, qershor 2021, Pivovarov nga organizata “Rusia e Hapur”, u arrestua në Aeroportin e Shën Petersburgut. Ekipi i tij tha në atë kohë se policia e kishte marrë në pyetje, për t’ia kontrolluar banesën e tij.
Së shpejti u zbulua se Pivovarov shkoi në burg për shkak të bashkëpunimit të Vulin me shërbimet e sigurisë të Kremlinit. Këtë e ka bërë të ditur Kara-Murza, duke pohuar se shtetasit rusë janë vëzhguar dhe përgjuar vazhdimisht gjatë qëndrimit të tyre në Beograd.
“Jemi mbledhur në një hotel në Beogradin e ri. Mbledhja kishte zgjatur një javë dhe menjëherë vumë re se po na ndiqnin. Sa herë që takoheshim në rrugë, dikush ishte pas nesh dhe ndiqte lëvizjet tona. Në restorante, kur shkonim për drekë, dikush ulej pranë nesh dhe dëgjonte se çfarë po flisnim. Ishte kaq e qartë dhe absurde”, pati pohuar Kara-Murza.
“Edhe kur morëm me qira një varkë për xhiro në Danub, një varkë tjetër na ndoqi gjatë gjithë kohës. Edhe pse për ne ishte edhe qesharake, tani e shohim se është bërë me qëllim dhe se shërbimet serbe e kanë bërë që ministri serb Vulin të tregohet si qeni besnik i sekretarit të Putinit, Patrushev. Të gjitha bisedat tona u regjistruan. Më lejoni të them se shpresoj se Vulin dhe Patrushev kanë mësuar diçka duke i dëgjuar”, tregon opozitari rus.
Siç ka shpjeguar më tej, Vulin, vetëm dy ditë pas takimit të opozitarëve rusë në Beograd, ka udhëtuar për në Moskë dhe transkriptet e bisedimeve të tyre ia ka dorëzuar sekretarit rus Patrushev.
Çfarë shkruhet në transkriptin e bisedës mes Vulint dhe Patrushevit?
Në transkriptin e bisedës thuhet se Vulin i ka shpjeguar Patrushevit se ishte i njohur me aktivitetet e organizatës “Rusia e Hapur”, për të cilën ai tha se kishte mbështetjen e Perëndimit dhe ishte “duke vepruar kundër interesave ruse”.
“Ai premtoi se Serbia do të informonte rregullisht palën ruse për aktivitetet dhe anëtarët e saj”, thuhet në dokument, duke theksuar se Vulin tha se lufta kundër revolucioneve me ngjyra është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë.
Në të njëjtën kohë, siç thuhet në dokument, pala ruse i njohu kolegët e saj serbë me zhvillimin e sistemit të saj spiunimit, i cili mundëson monitorimin e objekteve dhe personave të dyshimtë, ndërsa Vulin vuri në dukje bashkëpunimin mes dy MPB-ve, duke shtuar se me palën ruse në nivel vjetor shkëmbehen rreth 500 informacione.
Ndër ata që më vonë folën për takimin Vulin-Patrushev dhe pasojat e atij takimi, ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Vladimir Putinit dhe dikur rusi më i pasur Mikhail Khodorkovsky.
Khodorkovsky, si bashkëluftëtar i Pivovarovit, pati thënë se kolegu i tij nuk ka bërë asgjë të paligjshme.
“Pavarësisht se për cilin nen akuzohen politikanët e pavarur, sado absurde dhe të pabaza të jenë akuzat, aktgjykimi është pothuajse gjithmonë bindje. Neni i ligjit për të cilin akuzohet Pivovarov mbart me vete kërcënimin deri në 6 vite burg. Kam frikë se dënimi i tij do të jetë afër maksimumit”, pati theksuar Khodorkovsky.
Dhe dënimi ishte vërtet afër maksimumit, ku Pivovarov u dënua me 4 vite burg.
Sa na kushtoi përulja e Vulinit ndaj Kremlinit?
Për shkak të aktiviteteve të ish-ministrit të MUP-it dhe bashkëpunimit me Patrushevin, Serbia është gjetur në radarin e institucioneve të BE-së. Në dy raportet e fundit për progresin e Serbisë, Parlamenti Evropian i është referuar konkretisht aferës së përgjimeve të opozitës ruse.
Në rezolutën e vitit 2022, PE-ja shprehet se është i shqetësuar për krijimin e Grupit të Punës kundër revolucioneve me ngjyra nga Qeveria e Serbisë dhe ajo ruse, qëllimi dhe synimet e të cilëve mbeten të paqarta. Dokumenti dënonte gjithashtu përgjimin e anëtarëve të opozitës.
“Ne shprehim shqetësimin tonë për akuzat për përgjimin e figurave të opozitës ruse në Beograd nga autoritetet serbe dhe gjoja dërgimin e mëvonshëm të materialit tek shërbimet ruse të sigurisë”, thuhet në versionin përfundimtar të rezolutës.
Një vit më pas, PE-ja e rishikoi çështjen, duke vënë në dukje se ishte shqetësuese që dikush si Vulin ishte bërë shef i BIA-s.
“Shefi i ri i BIA-s, Aleksandar Vulin, ka pasur bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët e sigurimit shtetëror rus, duke përfshirë akuzat se ai u ka dhënë atyre informacione për aktivitetet e opozitarëve rusë në Serbi”, thuhet në dokument.
Në fund të fundit, një nga arsyet pse SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Vulin është përhapja e ndikimit malinj rus në rajon, e veçanërisht në Serbi.
“Aleksandar Vulin është përgjegjës për aktet korruptive dhe destabilizuese që mundësuan aktivitetet dashakeqe të Rusisë në rajon. Këto akte përfshijnë përdorimin e autoritetit të tij për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai përdori pozicionin e tij për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet dashakeqe të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm në rajon”, thuhet në shpjegimin e Departamentit amerikan të Thesarit.
Një nga pasojat e shkaktuar nga veprimeve të Vulinit është vendimi i shërbimeve amerikane për të ndërprerë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me BIA-n ndërkohë që Vulin është në krye të saj.
Në të njëjtën kohë, njoftimi përfshin një iniciativë të deputetëve të PE-së, të cilët propozojnë që BE-ja të ndjekë shembullin e SHBA-së dhe të vendosë sanksione ndaj të besuarit të Aleksadar Vuçiqit.