Përgatitjet për paradën ushtarake për Ditën e Ushtrisë që do të zhvillohet këtë të martë në kryeqytetin polak Varshavë, ka bërë që mijëra ushtarë dhe tanke të vërshojnë në rrugët e Varshavës.
Pamjet në mediat sociale tregojnë vargje të gjata automjetesh ushtarake që lëviznin ngadalë nëpër kryeqytetin polak, ndërsa nuk mungojnë as pajisjet ushtarake amerikane.
Festimet për 103-vjetorin e Betejës së Varshavës ndodhin në një kohë kur Polonia e ka marrë më seriozisht se kurrë më parë agresionin rus dhe po provon të mbrohet nga kërcënimi i mercenarëve të Wagner që janë stacionuar në Bjellorusi.
Po ashtu Polonia po vendos rreth 10,000 trupa të reja në kufirin polak me Bjellorusinë për shkak të tensioneve me aleatin rus.
Për këtë arsye parada e këtij viti ka një rëndësi të veçantë, pasi shihet nga kushdo si një mesazh që Perëndimi do t’i japë Vladimir Putinit për forcën ushtarake të një prej anëtarëve kryesorë të NATO-s në kufirin verior.
Në një postim të Ministrisë së Mbrojtjes polake në Twitter që tregon stacionimin e tankeve dhe mjeteve të tjera në Varshavë shkruhet: “Ushtria polake e mban kufirin tonë të sigurt. Pas tre vjetësh, parada më e madhe e ushtrisë polake kthehet më 15 gusht në orën 14:00 në Wisłostrada të Varshavës. Ne do të prezantojmë 200 njësi ushtarake dhe 92 avionë të shoqëruar nga 2000 ushtarë! Ushtarë të të gjitha reparteve të Forcave të Armatosura do të prezantojnë pajisjet më moderne të prodhimit polak, korean dhe amerikan, të cilat janë blerë vitet e fundit.”
Në dy vitet e fundit, Polonia është përballur me emigrantët që mbërrijnë në kufi nga Bjellorusia duke u përpjekur të hyjnë ilegalisht në vend.
Qeveria në Poloni dhe vende të tjera përgjatë krahut lindor të NATO-s kanë akuzuar Presidentin Aleksandër Lukashenko të Bjellorusisë, për hapjen e rrugës së migracionit në një akt të “luftës hibride” që synon krijimin e destabilitetit në Perëndim.
Polonia është gjithashtu e shqetësuar për praninë e luftëtarëve Wagner që u vendosën në Bjellorusi pas një rebelimi jetëshkurtër në Rusi në qershor.
Shqetësimet janë shtuar më tej pasi dy helikopterë ushtarakë bjellorusë hynë për pak kohë në hapësirën ajrore polake rreth dy javë më parë, diçka që Varshava e konsideroi si një provokim të qëllimshëm dhe Bjellorusia gjithashtu ka kryer stërvitje ushtarake në kufi.
Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë i ka konsideruar stërvitjet që filluan të hënën e kaluar si “operacione speciale ushtarake”, termi që Rusia përdor për luftën e saj në Ukrainë.
Stërvitja është zhvilluar në rajonin Grodno të Bjellorusisë, pranë të ashtuquajturit “Korridori Suwalki”, rripi i tokës me popullsi të rrallë, përgjatë kufirit polako-lituanez. Ai lidh tre shtetet baltike Lituani, Letoni dhe Estoni me pjesën tjetër të aleancës së NATO-s dhe ndan Bjellorusinë nga Kaliningradi, një enklavë ruse e militarizuar rëndë në Detin Baltik që nuk ka lidhje tokësore me Rusinë.