Shënim në katërdhjetë vjetorin e vdekjes ( 10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983) të shkrimtares së parë shqiptare, disidentes së parë të regjimit komunist shqiptar dhe themelueses së partisë opozitare socialdemokrate në vitin 1943
Përkujtojmë sot Musine Kokalarin ( 10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983), shkrimtaren e parë shqiptare, disidenten e parë të regjimit komunist, themeluesen e partisë opozitare Socialdemokrate në vitin 1943.
Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Musineja mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.
Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtas e Vesel Kokalari, ndërsa ajo u burgos për disa ditë. Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Kështu do të shprehej në gjyq Musine Kokalari :
“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.
Vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.
Musine Kokalari ndërroi jetë në internim më 13 gusht 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.
Në kuadër të 100 vjetorit të saj të lindjes, në vitin 2017, Ministria e Kulturës financoi botimin e përgatitur nga Biblioteka Kombëtare, kolanën me veprat “Seç me thotë nënua plakë”, “Rreth vatrës”, “Jeta ime universitare”.
Gjatë procesit të denimit të saj, Musine Kokolari iu tha kështu persekutorëve komunistë:
“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.