Pro apo kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë? Kurti për mediat greke: Ne jemi një komb, por dy shtete!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për median greke “To Vima”, ku është pyetur nëse e përkrah bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kurti u përgjigj duke thënë se Kosova dhe Shqipëria janë një komb dhe dy shtete dhe se marrëdhëniet me Shqipërinë janë të shkëlqyera duke shtuar se akuzat ndaj tij në lidhje me bashkimin e dy shteteve vinin nga serbët për arsye se ata duan që Bosnja të bashkohet me Serbinë.

“Shqiptarët në Kosovë përbëjnë 93%. Ne jemi një komb, por dy shtete. Kam fituar pushtetin në shkurt të 2021-shit duke premtuar punë dhe drejtësi dhe këto mbeten prioriteti im. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë. Mendoj se shumica e akuzave ndaj meje, në lidhje me bashkimin, vijnë nga serbët, sepse ata duan që Republika Srpska (Bosnja) të bashkohet me Serbinë. Ata kanë shpikur të ashtuquajturën ‘Bota Serbe’ si një eufemizëm për Serbinë e Madhe”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Duket se intervistuesi ka këmbëngulur në këtë çështje pas e ka pyetur edhe nëse ai e dëshiron bashkim me Shqipërinë.

Për këtë pyetje të radhës Kurti është shprehur se për momentin Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë dhe se qeveria është e fokusuar në mbrojtjen e vendit, integritetit territorial dhe sovranitetit.

“Për momentin Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon këtë dhe ne jemi të fokusuar në mbrojtjen e vendit tonë, integritetit territorial dhe sovranitetit të tij. Por e përsëris se ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë dhe, megjithëse jemi një komb, jemi dy shtete të ndryshme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti