Ish-trajneri i Holandës, Louis van Gaal ka bërë një akuzë të fortë duke deklaruar se Kupa e Botës Katar 2022 u stis në mënyrë që të ndihmonte Lionel Messin ta fitonte trofeun.
Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë në Dhjetor 2022, duke shënuar dy herë në finalen kundër Francës të fituar 4-2 në stadiumin Lusail.
Albiçelestet mundën Holandën e drejtuar nga Van Gaal në çerekfinale në një ndeshje emocionuese që përfundoi me gjuajtjen e penalltive.
“Nuk dua të flas shumë për të! Kur e shikon sesi Argjentina i shënon golat dhe si i shënojmë ne golat dhe sesi disa lojtarë të Argjentinës e kaluan kufirin dhe nuk u ndëshkuan, atëherë mendoj se gjithçka ishte e paramenduar. Çfarë dua të them? Që Mesi duhej të bëhej kampion bote? Unë kështu mendoj, po!”
Deklarata e ish-teknikut të “tulipanëve” u bë gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve “Eredivisie”, ku 72-vjeçari u vlerësua për kontributin e dhënë në futbollin holandez.