“Feja ime, shqiptar”- Pastori i përgjigjet Lucës: Je ateist, nuk njeh historinë

Të hënën ka nisur censi i regjistrit të popullsisë në të gjithë vendin. Çfarë vihet re është se komunitetet fetare kanë qenë shumë të gatshme pë të ftuar qytetarët që të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare në formular, ndonëse kjo gjë nuk është e detyrueshme.

Pastori Paulin Vilajeti komentoi në emisionin GoodMorning Albanians debatin virtual mes sipërmarrësit Gjergj Luca dhe pastorit Akil Pano lidhur me censusin.

Sipas pastorit, Luca është një njëri që nuk beson te Zoti, ateist që nuk e njeh historinë e vendit të vet.

“Lucës i duhet dhënë kjo përgjigje, je një njëri që nuk beson te Zoti. Shqiptaria nuk është fe, je ateist, e ka gjithë mundësinë e Zotit të zgjedhë besimin e vet, por s’ka të drejtë të tallet me një besim fetar siç u tall me besimin ungjillor, çfarë janë ungjillorët. Ai nuk e njeh historinë e vet. Ungjillorët janë ata që kanë themeluar alfabetin shqip bashkë me figura të tjera të shquara. Nëse lëmë njerëz të tallen me besime të ndryshme është e papranueshme, i kërkoj të dalë të kërkojë falje publike”, tha pastori.

“Unë kam nënë myslimane, baba katolik, grua ortodokse, një kalama e kam pagëzuar ortodoks, një tjetër më ka shkuar tek xhamia e lagjes këtu, po bëhet një e madhe, është futur në themel. I pëlqejnë myslimanët. Unë iki falem në Kishë, shkoj dhe në xhami. Tani çfarë të shkruaj këtu? Mua të gjitha fetë më pëlqejnë. Jam duke e shkruar shqiptar. Dhe ju bëj thirrje miq, të gjithë këtu tek feja të shkruajmë shqiptarë, se ne jemi për kombin përpara e për atdheun, pastaj për fetë”, u shpreh një ditë më parë Luca.