Zelensky falënderon Edi Ramën për mbështetjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, si edhe ekipin diplomatik shqiptar, për gjithë mbështetjen e dhënë në çështjen e Ukrainës, si edhe zërin e ngritur në Këshillin e Sigurimit për këtë kauzë.

Lideri ukrainas ka publikuar një median sociale X, njohur më parë si Twitter, një fotografi nga një tryezë e zhvilluar me kryeministrin shqiptar dhe delegacionin e tij, përpara një mbledhjeje historike që Shqipëria ka thirrur në Këshillin e Sigurimit për Ukrainën.

“I jam veçanërisht mirënjohës Shqipërisë për anëtarësimin në Deklaratën e G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ne nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për mbështetjen për integrimin e Ukrainës në NATO”, shkruan Zelensky.

Më herët, Rama, ka mbajtur një fjalë të shkurtër për mediat para fillimisht të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, e thirrur nga Shqipëria për çështjen e Ukrainës.

Sipas kryeministrit shqiptar, është me rëndësi jetike që të gjithë vendet e Këshillit dhe ato të botës demokratike, të mbrojnë Ukrainën dhe të ushtrojnë rezistencë ndaj agresorëve rusë.

“Fjala ‘i fuqishmi ka gjithmonë të drejtë’ nuk aplikohet më sot”, theksoi kreu i Qeverisë, duke shtuar se është thjesht një profeci, e cila është provuar dhe vijon të provohet kundër çdo ditë.

Sipas tij, bota duhet të gjejë një zgjidhje të përbashkët për luftën dhe ky takim i sotëm, mund të shfrytëzohet edhe si një mundësi për paqe.

“Të ndihmosh Ukrainën sot përçon mesazhin më të drejtë dhe më të mirë të gjithkujt që do të bëjë nesër atë çfarë Rusia po bën sot”, vijoi më tej ai.

Teksa, në mbyllje, tha se do të përfitojë nga ky rast për t’i kërkuar Moskës që t’i rikthehet marrëveshjes së grurit me Ukrainën, prej së cilës ka dalë në gusht dhe ende nuk është rikthyer në tryezë, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri ushqimore në shumë vende të treta.