Rritet dënimi për gratë në Iran që vishen “në mënyrë të papërshtatshme”

Parlamenti i Iranit e ka miratuar projektligjin që do të rrisë dënimin me burgim dhe gjobat për gratë dhe vajzat që shkelin kodin e rreptë të veshjes, ka raportuar BBC-ja të mërkurën.

Sipas projektligjit, ato që janë të veshura “në mënyrë të papërshtatshme” do të përballen me deri në 10 vjet burgim, ndërsa vendimi pritet të kalojë edhe nga Këshilli i Gardës për t’u shndërruar në ligj.

Masa, që kaloi me 152 vota pro e 34 kundër, vjen një vit pasi shpërthyen protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit, vajza që humbi jetën në paraburgim, që u mbajt nga policia e moralit me dyshimin se s’ishte veshur në mënyrë të duhur në publik.

Sipas ligjit iranian, që bazohet në interpretohet në Sheriatin islamik, gratë dhe vajzat mbi moshën e pubertetit duhet t’i mbulojnë flokët me një mbulesë, të njohur si hixhab, të veshin rroba të gjata e të gjera, në mënyrë që t’i fshehin pjesët e trupit.

Aktualisht, ato që s’e respektojnë këtë ligj mund të dënohen me burgim deri në 10 ditë apo në dy muaj si dhe me gjobë.