Ambasada amerikane dënon ashpër sulmet në veri: Autorët do të mbajnë përgjegjësi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e së dielës, duke thënë se autorët e këtij sulmi duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.

Në reagimin e ambasadës thuhet se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe është legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Më tej bëhet e ditur se po monitorohet situata nga afër dhe po dënohen aktet e dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës.

“Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara, shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Gjithashtu përcjell urimet e mia për shërim të shpejtë për dy oficerët e plagosur”, thuhet në njoftim.