Maroku nuk ka arritur të marrë medalje në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’, përkundër që kanë dhuruar një paraqitje për tu mbajtur në mend.
Marokenët u bënë kombëtarja e parë afrikane që arritën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës dhe për ta është një sukses historik, por ata u mposhtën në ndeshjen për vendin e tretë nga Kroacia 2-1.
Gjithsesi fundi i ndeshjes ishte shumë i tensionuar me të gjithë lojtarët e Marokut dhe stafin teknik që patën ankesa të mëdha në ndarjen e drejtësisë.
Më i zëshmi ishte padyshim mbrojtësi i djathtë Achraf Hakimi, të cilin reaguan të gjithë për ta qetësuar.
Ylli maroken i Paris Saint Germain nuk e kurse as presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino të cilit ia përplasi në fytyrë disa fjalë që për italianin ishin të rënda.
E gjithë fjalosja ndodhi në tunel, kur po bëheshin gati të dilnin medaljet e bronzta që t’i dhuroheshin futbollistëve të Kroacisë.
“Është hera e dytë që po na bëni të njëjtën gjë. Ju nuk doni që Maroku të fitojë medalje”, ishin fjalët e Hakimit drejtuar Infantinos me presidentin e FIFA-s që mbeti i shtangur nga to.
Disa gazetarë ishin aty dhe FIFA më vonë iu kërkoi atyre që të fshihen pamjet nga përplasja mes Hakimit dhe Infantinos.
Hakimi ishte shumë, shumë i zhurmshëm dhe përdori tonë të lartë ndaj Infantinos. “Kjo është ndeshja e dytë radhazi që po e bëni këtë kundër nesh, çfarë keni?”, raporton gazetari i SVT Sports, Johan Kücükaslan, i cili ishte dëshmitar i incidentit.
Kur Kücükaslan i pa të gjitha, ai mori telefonin për të filmuar gjithë ngjarjen, por stafi i FIFA-s nuk e lejoi ta bënte një gjë të tillë, megjithatë gazetari bëri vetëm disa foto.
“Ata donin që ne të fshinim imazhet. Është e qartë se këto janë skena të sikletshme për ta dhe është pak naive të mendosh se një grup gazetarësh nuk duhet të raportojnë për këtë kur jemi dëshmitarë të asaj që po ndodh. Më pas Infantino del jashtë dhe është përshëndetur nga të pranishmit në stadium, edhe pse gjatë gjithë situatës ai qëndroi si një profesionist”, ka thënë Kücükaslan. /