“Jemi në luftë”/ Kryeministri i Izraelit i drejtohet popullit: Armiku do e paguajë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu iu është drejtuar me një mesazh izraelitëve ku shprehet se ndodhen në luftë, pasi grupi terrorist i Hasamit ka sulmuar vendin që ai drejton në orët e para të së shtunës.

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion, jo në një përshkallëzim, një luftë. Këtë mëngjes Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Mblodha krerët e sistemit të sigurisë, para së gjithash porosita që të pastrohen vendbanimet nga terroristët që kishin depërtuar. Ky operacion po kryhet në këto orë. Në të njëjtën kohë, urdhërova një mobilizim të gjerë rezervë dhe një luftë hakmarrëse me një forcë dhe shtrirje që armiku nuk e kishte njohur kurrë”, u shpreh ai.

Netanyahu i bëri thirrje popullit që t’u binden me përpikëri udhëzimeve të ushtrisë dhe udhëzimeve të Komandës së Brendshme.

“Armiku do të paguajë një çmim që nuk e ka njohur kurrë. Ndërkohë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit që t’u binden me përpikëri udhëzimeve të ushtrisë dhe udhëzimeve të Komandës së Brendshme.Ne jemi në një luftë dhe do ta fitojmë atë”, ka thënë ai.

Dhjetra persona të armatosur nga grupi militant islamik Hamas duket se kanë depërtuar në Izraelin jugor. Ndërkohë ka pasur edhe sulme nga ajri me raketa. Deri më tani raportohet për të paktën 100 të plagosur.