Stolia shqiptare në zemër të Zagrebit

Zagrebi, një qytet me histori të pasur që daton nga epoka Romake, është kryeqendra dhe qyteti më I madh i Kroacisë. Identifikohet nga arkitektura austro-hungareze e shekullit të 18 dhe 19, ndërtesat neo-barok apo art-deco. Në qendrën e tij, apo Gronji Grad (qyteti i lartë), siç njihet, ngrihen stoike katedralja me dy kullat me majë e shekullit të 13 dhe Kisha e Shën Markut, me çatinë shumëngjyrëshe.

Një qytet ku historia jehon mes rrugicave me kalldrëm dhe çative të kuqe, e ku modernja po bëhet një bashkëjetuese e hijshme, pa ju imponuar karakterit të tij…Në frymën e një ndërthurjeje harmonike, mes të vjetrës dhe të resë, ku secila prej të dyjave bëhet një vlerë e shtuar pa ia zbehur shkëlqimin tjetrës, lindi dhe u zhvillua “Met Boutique Hotel”. Një strukturë luksoze që bëhet pjese fotografisë arkitekturore pranë qytetit të vjetër, e që ka një element shumë interesant: është e ndërtuar nga një kompani shqiptare. Gener 2 qëndron pas një prej investimeve më serioze, në zemër të Zagrebit, dhe të gjithë Kroacisë. I vlerësuar nga autoritetet në vend, si projekt sa inovator aq edhe identifkues “Met Boutique Hotel”, mishëron  balancën e kujdesshme mes konservatorizmit dhe deshirës për ndryshim, të shtetit me turizmin e zhvilluar.

Por jo vetëm kaq; ai është gjithashtu një simbol, i marrëdhënieve të mira mes dy shteteve, dhe siç preferon ta cilësojë ndërtuesi Ahmet Ulaj, një shpërblim për të gjithë komunitetin shqiptar, që punon dhe jeton atje prej kohësh.

“Ky hotel është i vogël por me një simbolikë të madhe dhe mesazhe pozitive për qytetin rajonin dhe më gjerë. Miqësi e mirë dhe e sinqertë mes dy popujve kroat dhe shqiptar. Respekt nga shteti kroat për shqiptarët në tërësi. Gener 2 investon në Kroaci se gjen një klimë të përshtatshme dhe klimë të ngrohtë respekti. Gjen këtu respekt dhe ne që vijmë këtu gjejmë dinjitet”, tha Ulaj.

Hoteli me 5 yje, i standardeve të larta, MET Boutique, hapi dyert rishtazi në Zagreb, në prani të zyrtarëve të lartë kroatë, të cilët nuk ja kursyen vlerësimet projektit shqiptar. Hoteli rijetëson një godinë jofunksionale pranë sheshit qendror Ban Jelaçiç, duke kontribuar në rinovimin urban të qytetit, siç tha zv.kryetari i Bashkisë Luka Korlaet. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e inagurimit, zyrtari kroat, vlerësoi stilin arkitekturor, njëherazi krijues dhe origjinal.

“Jam shumë i lumtur që gjendem këtu, për të shprehur kënaqësinë që ky hotel kontribuon për rinovimin urban të qytetit tonë. Është aktivizuar diçka që ka qenë e padisponueshme për një kohë të gjatë. Një ndertesë fantazëm, ka ardhur në jetë si një strukturë madhështore. Arkitektet e Ivanisin Kabashi, janë më të mirët në qytetin dhe shtetin tonë. Qoftë për pallate, shtëpi apo hotele, ata realizojnë gjithmonë diçka të nivelit të lartë. E tillë është edhe kjo ndërtesë. Hoteli, tregon se ata e njohin historinë e arkitekturës dhe arkitekturën moderne. Megjithatë ruajnë origjinalitetin, mbeten krijues dhe vendosin një vulë të fortë në fund. Që nga holli, ambienti i brendshëm e deri tek tarraca në katin e fundit ku duket pamja e qytetit. Urime të gjithëve për punën shumë të mirë”,  tha Zv.Kryetar i Bashkisë, Zagreb Luka Korlaet.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin gjithashtu Ministrja e Turizmit dhe Sporteve, Nikolina Brnjac dhe Ministri i Ekonomisë dhe financave Marko Primorac. Brnjac tha se qëllimi I qeverisë kroate është zhvillimi dhe investimi në objekte dhe përmbajtje cilësore në ofertën turistike, duke e cilësuar MET Boutique Hotel, si një kontribut të rëndësishëm në këtë përpjekje. Në një tregues të klimës miqësore të biznesit në vend, përfaqësuesja e qeverisë kroate, tha se i kanë dyert e hapura për investime të tjera, serioze nga Shqipëria.

“Mendoj se është një investim shumë i mirë në zemër të qytetit të Zagrebit. Kroacia po bën shumë përpjekje për të pasur sa më shumë hotele të huaja me 5 yje. Vitet e fundit ato janë dyfishuar, çka tregon se ne jemi plotësisht të hapur ndaj investimeve të reja…Mendoj se do të sjellë një frymë të re dhe ne jemi shumë të lumtur”, tha ministrja e Turizmit dhe Sporteve Nikolina Brnjac.

A jeni të hapur për më shumë investime të reja nga biznese e kompani shqiptare? Pyeti gazetarja e A2 CNN Rosalba Bejdo.

“Po jemi të hapur për çdo lloj investimi. Sidomos tani, teksa për bëjmë gati grante për rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë e vendit. Kemi siguruar më shumë se 300 milion euro dhe rreth 60 përqind e këtyre fondeve do të shkojnë për sektorin dhe bizneset private”, u përgjigj ajo.

Fakti që një investitor shqiptar, depërton denjësisht në zemrën e shtetit kroat, nuk mund të mos e bëjë krenar komunitetin shqiptar që jeton atje, përfaqësuesit e të cilit nuk munguan në event. Deputetja e vetme shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj e cilësoi investimin një pasqyrë të komunitetit shqiptar, prej nga ku burojnë njerëz të suksesshëm.

“Për mua është krenari që një shqiptar arriti të bëjë një investim kaq të madh në qendër të Zagrebit. Tregon pasqyrën e komunitetit shqiptar, dhe i tregon popullit kroat se edhe ne kemi njerëz të suksesshëm dhe këtë sukses e kemi treguar me ndërtime si ky këtu. Kroacia është miqdashëse ndaj popullit shqiptar dhe është shume e hapur edhe për investime të tilla që mirëpriten nga institucionet. Këtë e tregon edhe fakti që këtu janë të pranishëm, dy ministra dhe dy deputetë”, tha Lekaj Prljaskaj.

Struktura moderne 5 katëshe, ka fasadë prej xhami, ku reflektohen bukur godinat historike dhe statujat që zbukurojnë qendrën e Zagrebit. Hoteli numëron 26 dhoma luksoze të arreduara me stil bashkëkohor, një SPA, sallë konferencash dhe një tarracë që sheh nga qyteti i vjetër. Me një lokacion joshës dhe me artin kryefjalë në çdo detaj, hoteli fton gjithashtu vizitorët në një eksperiencë unike gastronomie. Një drekë apo darkë në restorantin e pozicionuar në katin e 5 të godinës, bëhet edhe më mbresëlënëse me pamjen mahnitëse të katedrales së Zagrebit dhe Sheshit Jelacic.