Abdixhiku akuzon VV-në për pezullimin e “Rrugës A”: Qytetarët ta shohin këtë çmenduri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar direkt pushtetin qendror që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje për ndikimin në vendimin e Gjykatës Komerciale për pezullimin e punës për ndërtimin e “Rrugës A” në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi sot se Komercialja vendosi të pezullojë punët për ndërtimin e “Rrugës A”, vendim të cilin e konsideroi politik e për të cilin pretendon se është marrë nga gjykatësja Vlora Pacolli, që sipas Ramës, është motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.

Në një reagim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se ndërtimi i “Rrugës A” po ecte në ritmin e duhur, por siç ka shkruar ai, “në Kosovën e populistëve, puna krijon kundërshtarë”.

“Një çmenduri që të le pa fjalë! Rruga A po ecte në ritëm të mbarë. Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Një lagje e re për Prishtinën, një komunitet i ri në bërje. Por ja që në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë. Sot, një gjyaktëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet. Dhjetra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital”, ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se vetë nuk bëjnë punë e punën e tjetrit s’e durojnë dot.

“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me kapje e familjarë. Nuk do t’i lejojmë. Rruga e Re dhe Rruga A nuk ndalen. Prishtina dhe Kosova do të bëhen!”, ka shkruar tutje Abdixhiku.