Dy shqiptarë që luftonin për Ukrainën kanë rënë në frontin e luftës

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka ndarë në media sociale një lajm “të hidhur”, për ndarjen nga jeta e dy ushtarëve me origjinë shqiptare në Ukrainë.

“Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga radhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj”, shkruan Majko, i cili thekson se lajmi është bërë me dije nga Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin.

Dermentli Anatoly dhe Haydarzhy Danylo ishin dy ushtarët që për fat të keq humbën jetën.

Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës).

Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi.

Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias).

Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni.

Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës).

Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.

Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias, ceremonitë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre.

Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar./Albanianpost.com