Reagimi i Hoxhës ndaj Bërnabiqit: Kur të dëgjova çka po flisje, mendova mos jam në ndonjë takim për Sirinë

Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ferit Hoxha, në seancën ku u diskutua për situatën në Kosovë, ka ironizuar me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Kryeministrja serbe, në fjalimin e saj pretendoi se në Kosovë, serbët po jetojnë nën “tmerrin e regjimit të Albin Kurtit”, duke thënë se ata po gjuhen me armë zjarri nga shqiptarët, po arrestohen, po gjykohen e çka jo tjetër.

Por Hoxha, në fjalën e tij para të pranishmëve, e demantoi Bërnabiqin, duke i thënë se kur e dëgjoi se çka po fliste, “mendova mos e kam gabuar seancën me ndonjë për Sirinë”.

“Isha i befasuar sinqerisht të dëgjoja analizën e kryeministres (serbe) për situatën në Kosovë. Kontrollova titullin e takimit mos e kam gabuar ndonjë takim për Sirinë. Asnjë prej elementeve që i përmendët, nuk reflektohen në, siç thatë, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, OSBE-së a EULEX-it, dhe të gjithë këta jetojnë e punojnë në Kosovë. Ka ndoshta probleme natyrisht sikurse në të gjitha vendet tona, përfshirë edhe për mos vendosjen e rripit të sigurisë, por askush s’mund të mohojë se ka ligje moderne, institucione demokratike dhe ka procese ligjore të barabarta për çdo person në Kosovë”, deklaroi Hoxha.