Rusia po ekzekuton ushtarët që po i tërhiqen nga vija e frontit, thotë SHBA-ja

Rusia po ekzekuton ushtarët që përpiqen të tërhiqen nga ofensiva e përgjakshme në Ukrainën lindore, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Sipas SHBA-së, disa nga viktimat ruse pranë Avdiivkas ishin “me urdhër të udhëheqësve të tyre”.

Trupat ruse dhe ukrainase janë përfshirë në një betejë të ashpër për qytetin që nga mesi i tetorit. Rusia mendohet të ketë pësuar humbje “të rëndësishme” në këtë kohë, raportoi BBC.

Ukraina ka thënë se numri i viktimave ruse në Avdiivka është 5,000, ndërsa SHBA-ja ka thënë se Rusia humbi “të paktën” 125 automjete të blinduara dhe pajisje me vlerë më shumë se një batalioni.

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase ka shtuar se trupat ruse po refuzonin të sulmonin pozicionet ukrainase pranë Avdiivkas për shkak të humbjeve të mëdha dhe se kishte pasur rebelime në disa njësi.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ka theksuar se ushtria ruse “duket se po përdor atë që quajmë taktikë ‘valë njerëzore’, gjuajtje e masave të ushtarëve shumë pak të trajnuar direkt në luftë”.

“Pa pajisje adekuate, pa lidership, pa burime, pa mbështetje. Nuk është e befasishme që forcat ruse po vuajnë nga morali i ulët”, ka theksuar Kirby.