Politikani serb: Vuçiç hapi rrugën e Kosovës drejt OKB-së

Ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë, Dragan Sormaz, ka komentuar takimet e ditës së enjte të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë e me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Sipas tij zbatimi i marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kthimi i serbëve në institucione dhe organizimi i zgjedhjeve lokale në katër komuna në Veri tashmë janë dakorduar.

Duke theksuar faktin se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara varet nga vendet anëtare, politikani serb thekson se më 26 tetor, Vuçiç u pajtua që mos ta pengojë Kosovën drejtë anëtarësimit në këtë organizëm ndërkombëtar.

“Kosova ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim në të gjitha institucionet ndërkombëtare, dhe se Serbia është zotuar nuk do të ndërhyjë”.

Politikani serb ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit e cila parasheh formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të duhej të ishte implementuar që moti, por një deklaratë e rremë e ish-presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolliç, beson ai, ka sjellë situatën deri këtu.

“Ka dallim në kuptim ndërmjet Asociacionit të Komunave Serbe dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe problemi ka lindur për shkak të këtij dallimi. Kujtojmë që Nikoliç, në të njëjtën ditë, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, lëshoi ​​një gënjeshtër në media dhe tha se ne në Kosovë po marrim Republikën Srpska dhe kështu dha një argument për të gjithë ata në Kosovë që janë kundër marrëveshjes”, shpjegon ai.

Duke komentuar sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, Sormaz, beson se 24 shtatori ishte inxhinjering i Vuçiç-it.

“Ishte një aksion klasik presioni me qëllim që njerëzit nga brenda të krijojnë probleme sigurie dhe të mos lejojnë që forcat speciale të Kosovës të vijnë në Veri të Kosovës”.