Von Der Leyen e përsëritë edhe në Beograd: Kosova të pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar në Beograd se  normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë i nevojshëm.

Von der Leyen tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë është i papranueshëm dhe autorët duhet të dalin para drejtësisë, por shtoi se është thelbësore që të dyja palët të angazhohen dhe të shkojnë në rrugën e normalizimit

“Sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit është plotësisht i papranueshëm, autorët duhet të dënohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Është thelbësore që të dyja palët të angazhohen dhe të shkojnë në rrugën e normalizimit,” tha ajo.

Leyen tha se është e rëndësishme që Serbia të mbështesë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të mos humbasë kohë.

E pyetur se çfarë do të thotë që Serbia de fakto ta njohë Kosovën, siç tha një ditë më parë në Prishtinë, ajo tha se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Leyen tha se marrëveshja përfshin, ndër të tjera, pranimin e dokumenteve dhe se ajo shkon së bashku me themelimin e Asociacionit

“Kjo do të hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha ajo.

Një ditë më parë, Von der Leyen tha në Prishtinë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia de fakto ta njohë Kosovën.