Nis puna për restaurimin e kishës së Kozarës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi nisjen e punimeve për restaurimin e kishës së Kozarës, e cila ishte shkatërruar më parë nga zjarri.

Kisha e Kozarës, është një monument me vlera shpirtërore për komunitetin vendas e gjithashtu monument kulturor.

“Ashtu si kishim premtuar, u rikthyem në fshatin Kozarë. Si përgjigje e kërkesave të komunitetit, por edhe për të risjellë në jetë një monument kulturor dhe shpirtëror, nisën punimet për restaurimin e kishës së Kozarës”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale.

Me fonde të buxhetit të shtetit, do të mundësohen ndërhyrjet në muraturë, çati, këmbanore, ambientet ndihmëse dhe sistemimin e hapësirës përreth kishës.

“Përveçse një objekt kulti, kjo kishë ka pasur edhe funksionin e një hapësire takimi për komunitetit, të cilën ne do t’ia rikthejmë sërish”, u zotua ministrja e Kulturës.

Kisha është një nga monumentet më me peshë të artit post-bizantin, e ndërtuar në periudhën otomane.