FFK-ja thotë se Muriqi u keqkuptua lidhur me deklaratën për policët nga Izraeli

Federata e Futbollit të Kosovës dhe futbollisti Vedat Muriqi kanë dalë me një sqarim të shtunën në mbrëmje, duke thënë se është keqkuptuar një prononcim i futbollistit për kontrollin nga policë izraelitë në Aeroportin e Prishtinës.

Të shtunën, Muriqi është cituar të ketë thënë se në Aeroportin e Kosovës ka pasur policë nga Izraeli, special për t’i kontrolluar futbollistët e Kosovës.

Sipas FFK-së, Muriqi me këtë deklaratë i është referuar kontrollit të nënshtruar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit.

“Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbollisti i ekipit kombëtar, Vedat Muriqi sqarojnë opinionin publik se prononcimi në lidhje me kontrollin policor në aeroportin e Prishtinës është keqkuptuar. Në pronocimin e tij të sotëm, futbollisti Muriqi i është referuar kontrollit të nënshtuar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit. Përndryshe Federata e Futbollit e Kosovës është falënderuese për bashkëpunimin e madh të ofruar nga Policia e Kosovës dhe organet tjera shtetërore në lidhje me aspektin e sigurisë për organizimin e ndeshjes ndaj Izraelit”, thuhet në sqarimin e FFK-së dhe të Muriqit.

Kosova dhe Izraeli luajnë të dielën në mbrëmje në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e vlefshme për “Euro 2024”. Takimi ka qenë i paraparë të luhej muajin e kaluar por u shty për shkak të luftës.

Policia ka ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë që nga dje, kur në Prishtinë ka mbërritur përfaqësuesja izraelite.