“Ministri malazez i Drejtësisë abuzoi me kompetencat duke i amnistuar kriminelët e luftës në Kosovë”

Arbër Jashari, avokat nga Kosova, e ka quajtur vendim politik, vendimin e ish-ministrit të Drejtësisë së Malit të Zi Marko Kovaq, pasi ky i fundit nuk e lejoi ekstradimin e dy serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Edhe pse gjykatat e Malit të Zi kishin marrë vendim për ekstradim, ministri duke e shfrytëzuar pozitën e tij e kishte penguar zbatimin e këtij vendimi.

Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq ishin arrestuar nga policia e Malit të Zi në shtator 2023, nën dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në Kosovë.

“Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq, dy serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë, sot janë të lirë diku në Serbi, vetëm në saj të një vendimi politik të ish ministrit të drejtësisë së Malit të Zi, Marko Kovaq. Konsideroj se vendimi i ish- ministrit të Drejtësisë se Malit të Zi, është abuzim me kompetencat që ia jep ligji dhe amnisti për “kriminelet” e luftës së vitit 1998-1999. Ky vendim dëmton rëndë edhe klimën e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, në çështjet penale me elementë ndërkombëtarë dhe është arsye e mjaftueshme që edhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës mbi bazën e parimit të reciprocitetit të përgjigjet me kartën e njëjtë në të ardhmen, për personat e kërkuar nga Mali i Zi”, ka thënë avokati Jashari.