Prokuroria konfirmon arrestimin e Naim Murselit dhe të dyshuarit tjetër: Është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se u vra Liridona

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe të dyshuarit tjetër, Granit Plava, të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit mbrëmjen e së mërkurës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.

Po ashtu është bërë e ditur se është sekuestruar edhe arma me të cilën është ekzekutuar e ndjera, bashkëshortja e të dyshuarit Naim Murseli.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.”, thuhet tutje në njoftim.