Policia e Kosovës në koordinim me Gjermaninë e Shqipërinë bastis objekte të një të dyshuari për trafikim me narkotikë

Policia e Kosovës njofton se janë bastisur dy objekte banimi të personit të dyshuar për ‘trafikim me narkotikë’ në nivel ndërkombëtar, shkruan Reporteri.net.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me shtetin e Gjermanisë dhe atë të Shqipërisë, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës. Në këtë operacion policor kanë qenë të angazhuara njësite të ndryshme policore, të cilat kanë kryer kontrolle në dy lokacione, banesë dhe shtëpi banimi të personit të dyshuar (P. D.), i cili me datën 22/11/2023 ishte arrestuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë si i dyshuar për vepra penale të trafikimit me narkotikë në nivel ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Raportohet se Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Princ Dobroshit, të njohur me nofkën “peshkaqeni”.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të potencuar, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.