Në Kosovë, ka një qytet me të cilin të gjithë krenohen, por në të cilin nuk ka as bibliotekë. Ky është Prizreni e në fakt në qytetin historik, bibliotekë kishte edhe në vitin 1513 dhe në vitin 1800.
Por tani, objekti që nisi për këtë qëllim, gati dhjetë vjet më parë, është shndërruar në strehë për narkomanët.
Prizreni kishte bibliotekë, madje që në vitin 1513. E në vitin 1800 ekzistonte biblioteka e parë publike. Por tani kjo është vetëm histori, pasi në këtë qytet të vjetër nuk ka asnjë bibliotekë.
“Është e patolerueshme, e pakrahasueshme, e pakuptueshme se si deri më tani nuk ka arritur qyteti i Prizrenit që ta ketë bibliotekën, ngase vendet, Këndi Amerikan ,vendet e tjera përveç universitetit, janë të ngushta për të lexuar”, tha prof. Muharrem Gashi.
Në fakt, gur themeli i ndërtimit të objektit të bibliotekës u vendos në vitin 2014, por gati dhjetë vjet mëvonë, ai shërben si strehë e përdoruesve të drogës. Në kushte të tilla, studentët sikurse Rafet Elezi,kohën për studim e kalojnë në hapësirat e “Këndit Amerikan”, ku është zhvendosur mbi një vit edhe biblioteka komunale.
“Jam specializant i kirurgjisë orale, jam në vitin e fundit dhe gjithmonë kur kam kohë të lirë e shfrytëzoj bibliotekën e Prizrenit, për hulumtime, për mësim, për të gjitha senet. Unë edhe pak e kryej, për gjeneratat e tjera besoj që ai objekti tjetër ka me qenë më i mirë”, tha Rafet Elezi, student.
Hapësira ku është vendosur biblioteka komunale është e qasshme, por mirëmbajtësit vazhdimisht duhet t`i zhvendosin botimet e reja.
“Janë hapësira mund të themi shumë funksionale për lexuesin, pasi që çdo lexues, pa marrë parasysh është me nevoja të veçanta apo lexues i rregullt, është fëmijë apo i pensionuar, qasjen e ka shumë të afërt. është një problem tek ne pasi që, hapësira e leximit, ku e shfrytëzojnë edhe studentët edhe të rriturit edhe punëtorët mund të jetë pak e ngarkuar tu e pas parasysh se qëndron në të njëjtin sektor bashkë me atë të të rriturve”, tha Sahadete Sadikaj, drejtoreshë e bibliotekës.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Prizren, Adem Morina, thotë se ky vit është i fundit që e gjen objektin në këtë gjendje, pasi e kanë siguruar lejen nga Instituti për mbrojtjen e monumenteve në këtë rast ku gjendet spitali i vjetër “Rruzhdie”.
“Do të fillojmë në vitin 2024 nga e para, do të bëjmë një projekt gjeneral, një projekt i cili do të përmbushë të gjithë kushtet dhe kriteret për ta përfunduar bibliotekën e qytetit . Kemi ndarë një buxhet i cili në vitin 2024 fillon , po ashtu do ta ndjekim edhe në vitin 2025 ku shpresojmë që brenda një periudhe dy vjeçare të përfundojë”, tha Adem Morina, Drejtor i drejtorisë për kulturë rini dhe sport në Prizren.
Sidoqoftë , qytetarët shpresojnë që ky objekt që tash për tash po ndikon negativisht në shoqëri, t’i kthehet në shërbim qytetit të traditës dhe kulturës. /rtk