Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut

Talat Xhaferi pritet të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut. Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim, në mbledhjen e fundit, zgjodhi politikanin me përvojë të madhe për të marrë rolin e kryeministrit në qeverinë teknike, që pritet të udhëheqë vendin nga 28 janari deri në zgjedhje.

“BDI propozin Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, tha Bujar Osmani.

Talat Xhaferi është një politikan që ka bërë histori në Maqedoni të Veriut dhe ka thyer shumë barriera për shqiptarët. Në vitin 2017 u zgjodh si kryetar i Kuvendit, në një seancë të mbushur me tensione tepër të larta. Këtë funksion e ushtron edhe aktualisht. Më herët është angazhuar edhe si zëvendës ministër i mbrojtjes gjatë periudhës 2004-2006.

Ndërkohë, Osmani, që mban aktualisht edhe postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e Shkupit, sqaroi se lidhur me koalicionet parazgjedhore të mundshme, organet e partisë kanë autorizuar kryetarin Ali Ahmeti që të vazhdojë negociatat dhe të propozojë aleancat parazgjedhore.

Në mbledhjen e kryesisë qendrore të BDI-së është diskutuar edhe për zgjedhje të brendshme që duhet të mbahen. Gjithashtu edhe për zgjedhjet presidenciale të ardhshme në Maqedoninë e Veriut.