Macronit i vijnë goditje nga të gjitha anët

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është akuzuar për tradhti ndaj Francës pasi mori pjesë në një ceremoni hebre brenda rezidencës së tij zyrtare, Pallatit Elysée.

Në një vend ku ndarja e fesë është në vetvete një fe, ndezja e një qiri në Festivalin Hanukkah brenda pallatit të enjten u denoncua menjëherë nga politikanët e djathtë dhe të majtë.

Presidenti kishte ftuar kryerabinin e Francës, Haïm Korsia, për të ndezur të parin nga tetë qirinjtë, duke shënuar fillimin e festivalit hebre të dritave.

Por kur video e ceremonisë u shfaq pak më pas në rrjetet sociale, pati bujë, raportoi BBC.

Për opinionistët francezë, presidenti kishte bërë një turp të madh duke e lejuar fenë të hynte në hapësirat e shenjta të presidencës.

“Me sa di unë kjo është hera e parë që ndodh ndonjëherë. Është një shkelje e sekularizmit”, ka thënë David Lisnard, një figurë e shquar e opozitës së krahut të djathtë.

“Elysee nuk është një vend feje. Ju nuk mund të bëni kompromis me sekularizmin”, ka theksuar presidentja socialiste e rajonit Occitania, Carole Delga.

“A do të bëjë Macron tani të njëjtën gjë për fetë e tjera? Disa po, disa jo? Është një spirale e rrezikshme”, ka deklaruar Alexis Corbière nga e majta ekstreme “France Unbowed”.

Edhe disa hebrenj francezë u shprehën të çuditur. “Kjo është diçka që nuk duhet lejuar të ndodhë përsëri”, tha Yonathan Arfi, i cili drejton Këshillin Përfaqësues të Institucioneve Hebraike Franceze (Crif).