Ndarja buxhetore për komunat konsiderohet diskriminim në baza partiake

Në një analizë për ndarjen buxhetore, Instituti GAP konsideron se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq. Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-jaNgjashëm me vitin e kaluar, ekzekutivi ka ndarë më shumë mjete për investime kapitale në komunat që i udhëheq partia në pushtet – Vetëvendosje.

Në një analizë për ndarjet buxhetore për vitin 2024, Instituti GAP konsideron se mbi gjysma e ndarjes së mjeteve është bërë për komunën e Gjilanit, Shtimes, Kamenicës dhe Podujevës, që udhëhiqen nga Vetëvendosje.

Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë paraparë për katër komunat “e VV-së”.

Për kokë banori për qytetarët e Shtimes janë ndarë dhjetë herë më shumë mjete për investime të reja kapitale se sa për kryeqytetasit.

Për këtë në Komunën e Prishtinës thanë se janë të zhgënjyer me nivelin qendror.

“Projektet e Prishtinës, nuk janë projekte lokale, ato janë projekte Kombëtare. Për me tepër, ndarjet buxhetore, janë te bazuara në censusin e vitit 2011, sipas të cilit Prishtina i ka nën 200.000 banorë. Kurse ne çdo ditë e themi që kjo tashmë, në vitin 2024, nuk është aspak e saktë. Sipas shumë organizatave kredibile, Prishtina sot ka rreth 400.000 banorë. Andaj, si konkluzion, Prishtinës duhet t’i ndahet dyfish buxhet”, ka thënë Alban Zogaj, nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

E shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ekzekutivi ka bërë diskriminim në baza partiake me ndarjen buxhetore për komunat.

“Diskriminimi i komunave në baza partiake është papërgjegjësi dhe është logjikë e mbrapshtë arbitrare që po e bën kjo Qeveri. Duhet ta ndalojë këtë. Më e keqja është që e thashë edhe ma herët në investime kapitale 83% e buxhetit është vazhdimësi e projekteve, vetëm 17% janë projekte të reja”, ka deklaruar ai të dielën.

Me mjetet e ndara, të pakënaqur janë deklaruar edhe nga Komuna e Drenasit.

Kryetari Ramiz Lladrovci ka thënë se pavarësisht performancës, siç ka thënë ai, të shkëlqyer të Komunës, ndarjet e mjeteve nuk plotësojnë as nevojat bazike.

“Nuk është e drejtë që Qeveria të bëjë dallime, kur dihet se Qeveria është e krejt Kosovës, jo e një partie dhe duhet ndjekur prioritetet e qytetarëve jo të partive politike. Ne si komunë kemi nevojë për të realizuar projekte kapitale që nuk janë përfshirë në buxhetin e tri vjetëve të ardhshëm”, ka thënë Lladrovci.

Çështja e shpërndarjes së pabarabartë të fondeve për investime kapitale nga ministritë në komuna g është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Qeveria aprovoi projektbuxhetin 2024 më 31 tetor, ndërsa Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 16 nëntor.