Partia Greke SYRIZA ka dalë kundër politikave të Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i cili për të mos vendosur veton në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian vuri si kusht betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak të Himarës.
Në deklaratën e saj SYRIZA “shprehet se mbështet në mënyrë të vendosur dhe të palëkundur perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e kritereve të vendosura nga BE”, ndërsa e quan politikën e Mitsotakis një strategji për interesa personale.
“Fatkeqësisht, Greqia në vend të një strategjie të strukturuar në Ballkan, promovon politikën e Mitsotakis, e cila i jep përparësi interesave të tij mikropolitike dhe balancave të brendshme partiake dhe jo interesave dhe rolit të Greqisë në rajon.
Zoti Mitsotakis nga njëra anë i bën thirrje BE-së të integrojë vendet e Ballkanit Perëndimor në më pak se dhjetë vjet, nga ana tjetër luftoi me ashpërsi Marrëveshjen e Prespës që e shkriu këtë perspektivë dhe nuk guxon të ratifikojë tre marrëveshje teknike këtu dhe pesë vjet.
Nga njëra anë bën festa parazgjedhore mbështetëse për kryeministrin shqiptar pa kushte, përballë pakicës dhe përpara zgjedhjeve lokale shqiptare, nga ana tjetër tenton të shfrytëzojë mediatikisht çështjen serioze të shtetit ligjor, krijuar në zgjedhjet lokale me arrestimin e Belerit, për të forcuar imazhin e tij”, thuhet në deklaratë.
Një ditë pas samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor kryeministri Rama duke vlerësuar se marrëdhëniet me kryeministrin e Greqisë Kiriakos Mitsotakis janë miqësore dhe nuk ndikohen nga mosmarrëveshje momentale siç është çështja “Beleri”, tha se çështjet bilaterale duhen zgjidhur mes dy vendeve dhe se është e paarsyeshme të ndikojnë procesin e integrimit të një vendi në negociata.