Kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, ka deklaruar se turizmi dhe bujqësia janë dy shtyllat në të cilat është vënë fokusi dhe është orientuar edhe buxheti.
Ndalur te turizmi, kryebashkiaku u shpreh se gjatë 2023-shit, 445 mijë turistë kanë vizituar Pogradecin, ndërsa shprehu më tej edhe vizionin për turizëm elitar.
“Ne po e shohim turizmin si rajonal. Në Qafë Thanë, qytetarët kanë bërë një pikë që pushojnë. Po bëj një projekt për të bërë një piacë të bukur atje dhe një monitor ku qytetarët të informohen mbi destinacionin ku duan të shkojnë.
Turizmi dhe bujqësia janë dy shtyllat ku unë jam fokusuar dhe buxhetin atje e kam orientuar.
Jam munduar që bizneset që merren me turizmin, sipas statistikave, deri në dhjetor kanë qenë 445 mijë turistë në Pogradec.
Mendoj se në periudhën para dhe pas sezonit, Pogradeci frekuentohet shumë nga të huajt. Ne po mundohemi të fusim turizmin elitar. Kjo na mungon”, tha ai.
Kryebashkiaku u ndal më tej dhe te Kampionati botëror i Formula 1 në ujë në Pogradec. Xhakolli u shpreh se ky kampionat do të promovojë jo vetëm Pogradecin, por gjithë Shqipërinë.
“Po mundohesha t’i gjeja anën njerëzve që e organizojnë. E panë liqenin u pëlqeu, vendosën që po do e bëjnë. Fola dhe lartë në qeveri. Ajo është finalja e kampionatit botëror të Formula 1 në liqen, për skafe dhe Jet Ski.
7 ditë Pogradeci do jetë si kryeqyteti i botës, sepse do jenë rreth 45 mediat më të mëdha të botës. Kjo do jetë një nga aktivitetet më të mëdha që i shërben dhe Shqipërisë dhe Pogradecit.
Njeriu po nuk e shpalosi vizionin e tij për 8 vite nuk ka pse të rrijë më. Kam menduar se në 4 vitet e para kjo bashki lëvizi dhe në katër vitet që vijnë them se do jetë një bashki e zhvilluar, sepse e meriton. Ka asete ende të pashfrytëzuara”, u shpreh Xhakolli.
Ky i fundit u ndal dhe te projekti transformues Tushemisht-Drilon, ku tha se do ndikojë pozitivisht në turizëm.
“Në Tushemisht dhe Drilon po investohet shumë mirë, është një projekt shumë dinjitoz rreth 15.5 milionë euro, që hidhet nga fondi shqiptaro-amerikan, Banka Botërore dhe fondi shqiptar. Do dalë një mrekullli. Nga muaji maj përfundon dhe do kemi një turizëm edhe më të shtuar.
Unë në vizionin tim dua që të fillojë turizmi elitar. Vërtet ka shumë turistë që vijnë, por nuk harxhojnë”, tha ai.