Berisha drejt arrestimit, Kuvendi i dorëzon SPAK vendimin për heqjen e imunitetit

Pak më shumë se dy orë, pasi me 75 vota të mazhorancës socialiste u vendos për të zhveshur nga imunitetit i deputetit, kreun e Rithemelimit Sali Berisha, Kuvendi ia ka dorëzuar zyrtarisht vendimin, Prokurorisë së Posaçme.

Nëpërmjet një dokumentacioni dy faqësh, Kuvendi informon SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës, duke i hapur rrugën organit të akuzës që t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës së Posaçme për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit.

Gjasat janë që GJKKO të aplikojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Berishën, pas refuzimeve të vazhdueshme të tij për të zbatuar vendimin e mëhershëm që konsistonte në “detyrim paraqitje”.

Pas votimit në Kuvend, në fjalën e tij, përballë qytetarëve që ishin mbledhur për ta mbështetur, Berisha tha se kjo ditë, 21 dhjetor 2023, është një ditë frymëzimi për t’u ngritur në protestë kundër kësaj qeverie, që e quajti si “narkoshtet”.

“Kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë. Ato mendojnë se duke vepruar si sot, ne do biem në qetësi, kam bindjen se kjo ditë do jetë ditë frymëzimi, një ditë që do ju rikujtojë atyre se misioni i tyre është o sot o kurrë, të përmbysim diktaturën, regjimin e krimit! Ju jeni dëshmitarë se prej muajsh ne kemi denoncuar me fakte dhe dokumente dhunimin e tmerrshëm të zgjedhjeve”, tha Berisha.

“Ne do protestojmë para Edi Ramës, do protestojmë para SKAP-it të partisë, para gjykatave të partisë, ne do protestojmë para gjithë institucioneve të narko-shtetit. Është koha të mobilizoni me të gjithë mundësitë dhe forcën anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, simpatizantët tanë, është koha të bëheni zëdhënës të atyre që duan të ngrohen për veprim, koha që të jemi në krye të atyre, në krye të guximtarëve, ju ftojmë që të vazhdojmë betejën tonë të pamposhtur dhe ju garantoj se siç dështoi regjimi i krimit të mposhtë opozitën më 9 shtator, do të dështojë sot”, shtoi Berisha.

Në një fjalë të shkurtër për mbështetësit demokratë që e shoqëruan deri në seli, pas protestës para Kuvendit, Berisha u tha gazetarëve se nuk do të heqë dorë nga aksioni opozitar edhe pas këtij vendimi.

“Harroje! Të them jam më i fortë se kurrë. Më i vendosur se kurrë në mbrojtje të akuzës së drejtë opozitare dhe i garantoj shqiptarët se kjo kauzë do të triumfojë. Se forcë në botë që të mposhtë idealet e demokracisë nuk ka dhe nuk do të ketë. Kjo bandë do t’i ketë kohët e numëruara. Edi Rama do të përfundojë si gjyshi i tij, Enver Hoxha, në kalendat e historisë. Se shqiptarët do të kenë qeveritarët dhe opozitarët e tyre ashtu siç e meritojnë. Kjo është një histori në zhvillim, por nga më krenaret e popullit opozitar që nuk u mposht nga asgjë, që rezistoi ndaj një korrupsioni transnacional dhe dëshmon se ka të gjithë energjinë për të mbrojtur vlerat e demokracisë”, tha Berisha.