Klemen Groshel, shef i misionit të Parlamentit Evropian që vëzhgoi procesin zgjedhor në Serbi, vlerësoi se këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje në përputhje me standardet dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian (BE).
“Çështja e zgjedhjeve është një nga çështjet më themelore në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Pra, kjo është mjaft e qartë. Nuk do të ketë mbyllje të negociatave derisa të arrihen ato standarde”, tha Groshel në një intervistë për gazetën Nova.
Ai theksoi se në të kaluarën vëzhguesit nuk i kanë parë gjërat siç i kanë parë në këto zgjedhje dhe se atmosfera e zgjedhjeve ka qenë e ndryshme edhe në krahasim me vitin e kaluar.
“Këta shembuj që përmenda në lidhje me futjen e fletëve të votimit në kuti dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur, nuk kanë ekzistuar. Tani ishte e gjitha kaq e hapur. Vëzhguesit e panë tani. E dini, nëse një i huaj e vëren këtë, dhe disa ishin në Serbi për herë të parë, do të thotë se gjithçka ishte e hapur, e pafshehur”, tha Groshel.
Siç theksoi ai, kjo është ajo që i dallon këto zgjedhje nga ato të viteve të kaluara.
“Nuk po them se gjërat kanë qenë më të mira në të kaluarën, por kanë qenë më të sofistikuara. Tani ishte e hapur, brutale”, vlerësoi Groshel.