E keni pyetur veten ndonjëherë duke parë “kufomën e kalbur” të një makin nëse mund të “vlente diçka”? Përgjigja, pothuajse si rregull, është se nuk mund as të mendohet.
Ne themi “pothuajse” sepse do të mbetet në histori ajo që një grumbull skrapi, që dikur ishte një makinë, doli në ankand dhe u shit për 1.875 milionë dollarë. Një “detaj” i vogël është se ishte një makinë 70 vjeçare që ishte përplasur, djegur, braktisur prej dekadash, e “goditur” dhe nga një uragan.
“Kjo,” thotë siguruesi i makinave klasike Hagerty, “ishte shitja që shënoi 2023”. Dhe nuk e ka gabim. Sepse në fakt, këto copëza të shpërndara, të ndryshkura që disi i ngjajnë formës së makinës, mund të rishiten në vitet e ardhshme, në një formë tjetër, për një çmim më të lartë. Pse?
Në fakt, kjo pjesë, e cila u shit në ankandin e Sotheby’s ‘Lost and Found’ gushtin e kaluar, ishte dikur një Ferrari 500 Mondial Spider S1 i vitit 1954 nga studio e stilistit të famshëm Pininfarina. Pak vite pas shitjes së tij, në vitin 1960 ky Ferrari, me numër shasie 0406MD, u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik dhe u shkatërrua pothuajse plotësisht, pasi shpërtheu në flakë.
Me planin që “një ditë do të rindërtohet”, Mondiali i dëmtuar u gjend në një magazinë. Deri në vitin 2004 ishte në pronësi të manjatit të pasurive të paluajtshme nga Florida, SHBA, Walter Medlin. Më pas, Uragani Charlie goditi (dhe) magazinën ku ishte ruajtur, së bashku me 20 Ferrari të tjerë. Prona u shemb mbi makinat e parkuara, të cilat u goditën gjithashtu nga sendet e bartura nga erërat e uraganit.
Pas kësaj, Ferrari u zhvendos në Indiana, SHBA, ku qëndroi në magazinë për më shumë se një dekadë, derisa arriti në ankandin e Sotheby’s në Monterey. Në rrethana të tjera, edhe ideja e shitjes së “mbeturinave” të një makine do të trajtohej si shaka. Por jo në këtë rast.
500 Mondial i vitit 1954 është një nga “gralët e shenjtë” të kërkuar nga koleksionistët në mbarë botën kur bëhet fjalë për Ferrarin. Dhe ata paguajnë shumë për to. Duke qenë se kanë mbetur vetëm 14 nga këto 500 makina që ishin ndër krijimet e para të markës legjendare italiane, duket disi “logjike” që njëra prej tyre, numri i shasisë 0448MD u shit në vitin 2019 për 4.166 milionë dollarë, kundrejt një vlerësimi prej 5.32 milionë dollarësh dhe, një vit më parë, një tjetër me numër 0434MD u shit nga Gooding & Co për 4.45 milionë dollarë, kundrejt një vlerësimi prej 5-5.75 milionë dollarë.
Hagerty thotë se nëse restaurohet (ose, më mirë akoma, rindërtohet), ky Ferrari mund të shitet për 4 milionë dollarë, duke pasur parasysh shasinë e tij origjinale, numrat dhe targat. Por edhe ky është një rrezik, pasi restaurimi, qoftë në Maranello apo në një shtëpi të specializuar, pritet të kushtojë rreth dy milionë dollarë. Ndoshta, në fund, blerësi do të dalë si humbës. Çfarëdo që të ndodhë, historikisht, brezat do t’i shohin fotot dhe do të lexojnë se në vitin 2023, dikush pagoi një shumë të egër për kohën, për të marrë këto mbetje…